AlbanianSport.com 31/08/2019 22:45
ASNN – Ishte mbiquajtur me të drejtë “Klasikja” e futbollit shqiptar, e për më tepër sepse të dy skuadrat po synojnë të lënë pas një periudhë të errët. Dhe ishte Tirana që e fitoi atë në fund, sepse, brenda në “Loro Boriçi”, bardheblutë triumfuan 2-0 ndaj Vllaznisë. Ndeshja nisi me Tiranën që kërkonte të mbante sa më shumë topin nën kontroll dhe Vllazninë që përpiqej të godiste me kundërsulm.
Në pjesën e parë u krijuan mundësi nga të dy palët, por pa gjetur golin. Edhe pjesa e dytë nisi me ritëm, por rezultati u zhbllokua në minutën e 57-të. Një top i harkuar nga e majta u kontrollua me gjoks nga mbrojtësi shkodran Erdenis Gurishta, i cili nuk e largoi topin siç duhet, por i la aty Halilit dhe i dha mundësinë të shënonte. Me nisjen e topit nga mesi i fushës ishte Tirana që përfitoi sërish nga hutimi i skuadrës vendase.
Kaleja çoi një tjetër harkim drejt zonës dhe Ngo’oja, që duhet të ishte mbuluar nga Gurishta, ishte i pashqetësuar dhe shënoi golin e dytë. Të pakënaqur me lojën, rezultatin dhe të zhgënjyer, tifozeria shkodrane dha një shfaqe të shëmtuar në fund të takimit. Një lumë shishesh plastike u hodhën në drejtim të fushës. Takimi u ndërpre për disa minuta. Një tifoz shkodran zbriti në fushë.
Me siguri Vllaznia do ta vuajë këtë situatë nga vendimet e Komisionit të Disiplinës. Pas mbarimit të sfidës mes Vllaznisë dhe Tiranës, ku tensioni ishte i lartë në tribuna gjatë ndeshjes, kjo situatë ka vijuar edhe mes tifozerive. Në daljet e stadiumit, tifozët e Shkodrës po prisnin ata të Tiranës, madje mes tyre ka pasur edhe shkëmbim fishekzjarrësh.
Por ndërhyrja e policisë dhe forcave speciale ka qenë e shpejtë, dhe një konflikt i mundshëm është shuar menjëherë. Gjithashtu, teksa ekipi i Tiranës po largohej, është goditur me gur nga tifozët e Shkodrës. Nga goditjet e forta me gurë, janë shkaktuar dëme në xham, ku siç shihet janë thyer edhe disa prej tyre, por që nuk ka pasur asnjë pasojë për lojtarët dhe stafin që gjendeshin aty.