AlbanianSport.com 31/08/2019 20:55
ASNN – Durrsakët nuk gabojnë në shtëpi, ngadhënjejnë 3-1 dhe thellojnë krizën e gjirokastritëve. Teuta nuk e njeh humbjen në këto 3 javët e para, kurse Luftëtari nuk ka marrë ende pikë, teksa edhe takimi midis tyre, i zhvilluar të shtunën në mbrëmje në Durrës, është fituar nga vendasit me rezultatin 3-1. Në fakt, sfida e luajtur në Stadiumin “Niko Dovana” ka nisur më mirë për miqtë, të cilët, brenda 3 minutash, rrezikojnë seriozisht portën e vendasve me atë të Renjës, gjuajtja e futbollistit korçar të gjirokastritëve gjen shtyllën horizontale të katërkëndorit të mbrojtur nga Frashëri.
Luftëtari vazhdon të këmbëngulë dhe 3 minuta më pas vjen një goditje dënimi. Rapo harkon, por mbrojtja e Teutës largon në goditje këndi duke rrezikuar edhe një autogol. Më pas loja do të bjerë në kllapi për plot 18 minuta dhe vetëm në të 24-tën, është pranë golit Teuta, pas një rrëmuje në zonën e Luftëtarit, por ishte Albano Aleksi ai që shkaktoi faull në sulm, duke parandaluar kështu një mundësi shënimi. Mesfushori ndëshkohet me karton të verdhë. Durrsakët do ta gjejnë golin në minutën e 30-të, kur Todorovski harkon nga e djathta brenda zonës.
Ka një dalje të gabuar të portierit Paiteris dhe nuk fal aty sulmuesi Darko Nikaç, i cili godet saktë me kokë, duke kaluar në durrsakët në epërsi. 5 minuta më pas, vjen një tjetër mundësi për Teutën, por Lorenco Vila nuk tregohet i saktë nga brenda zonës dhe gjuajtja e tij përfundon jashtë kuadratit. Dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt Teuta gjen edhe golin e dytë. Shkodrani Uendi Vecaj përfiton nga mbrojtja e shthurur e skuadrës gjirokastrite, duke gjetur rrugën e rrjetës. Me këtë epërsi dygolëshe të vendasve mbyllen 45 minutat e para, ndërsa të dytat nisin me dy ndërrime tek Luftëtari.
Trajneri Duro largon nga fusha e lojës Renjën dhe Dushkajn, ndërsa vendin e tyre e zënë Ahmetaj dhe Oshafi. Por Teuta vijon të mos lëshojë dhe do të gjejë edhe një gol të 3-të në minutën e 54-t, pas një goli të bukur të mesfushorit Florent Avdyli, i cili lëshon një gjuajtje nga larg, duke mposhtur portierin Paiteris. Duro bën një tjetër ndërrim tek Luftëtari, teksa largohet Isufi, vendin e tij e zë Angelmo Vyent, ndërsa vjen edhe ndërrimi i parë te Teuta, largohet nga fusha Lorenco Vila, vendin e tij e zë Roni Gashi. Ndërrimi i gjirokastritëve jep fryte, pasi Realdo Fili gjen rrugën e rrjetës.
Falë pasimit të të sapofuturit Vienti, sulmuesi fierak nuk ka falur me portën e boshatisur, duke rihapur sfidën në minutën e 60-të. Në 7 minutat që vijojnë, është fillimisht pranë golit të 4-t Teuta, por Emiljano Vila shpërdoron një rast të artë me portën e boshatisur, ndërsa në krahun tjetër, futbollisti holandez, Vient, shmang disa kundërshtarë, por nxitohet në momentet e fundit duke shpërdoruar edhe një mundësi të volitshme për shënim për gjirokastritët.
Përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave dhe dy ndërrimeve të Teutës, 23 minutat e mbetura dhe 4 minutat shtesë nuk do të sjellin gola të tjerë dhe durrsakët marrin fitoren e dytë në këto 3 javë kampionat, ndërsa Luftëtari mbetet i zhytur në fundin e renditjes, pas 3 humbjesh radhazi.