AlbanianSport.com 30/08/2019 18:50
ASNN – Rrugëtimin në Evropianin 2021, kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave do të nisë me përballjen me Finlandën. Një skuadër e fortë, por që vajzat dhe trajneri i tyre Vioresin Sinani, kërkojnë ta përballojnë me sukses. Të këtij mendimi janë edhe dy futbollistet e kombëtares kuqezi, Albina Rrahmani dhe Kristina Maksuti.
Në prag të ndeshjes së parë të Eliminatoreve të Evropianin 2021, kombëtarja e femrave po vazhdon përgatitjet në Elbasan. Edhe pse e dinë forcën e kundërshtarit, të besuarat e trajnerit Sinani besojnë në rezultatin pozitiv. Kështu është shprehur edhe Albina Rrahmani, mbrojtësja e kombëtares kuqezi, që luan me Moron BK në Suedi.
“Si gjithmonë, kushdo qoftë ekipi kundërshtar, edhe duke qenë ndër më të mirët në botë siç është Finlanda, futemi në fushën e lojës për rezultat pozitiv, – ka thënë ajo. -Kundërshtari? Nuk kemi pas mundësi më u ndesh më parë me ta, por kemi filluar të shikojmë video të tyre për të kuptuar sesi luajnë.”
Përsa i përket objektivit, ajo thotë se duhet t’i marrin ndeshjet me radhë. “Ne kemi dëshirë t’i marrim ndeshjet hap pas hapi, të kalojmë një ndeshje me sukses dhe pastaj të shikojmë tjetrën, – ka thënë Rrahmani. – Do zbresim në fushë gjithmonë për diçka pozitive, për diçka më shumë se herën e kaluar.”
“Unë shpresoj dhe besoj se kjo nuk ka për të qenë vetëm fushata eliminatore e radhës për ne, ka për të qenë diçka më shumë. Përfitoj nga kjo konferencë për ti bërë thirrje tifozëve, është gjithçka më e lehtë kur i ke nëpër tribuna tifozët sepse na japim më shumë forcë”, – ka përfundur mbrojtësja e kombëtares kuqezi të futbollit të femrave.
Ndërsa Kristina Maksuti, sulmuesja që luan me Duisburgun në Gjermani është e kënaqur me atmosferën që ka gjetur në skuadër. “Duke parë kualifikimin për në fazën e 32 më të mirave për Vllazninë dhe Mitrovicën, ku shumë vajza janë pjesë e Kombëtares, kemi parë që vajzat kanë bërë një hap më lart, janë të përgatitura mirë”, – thotë ajo.
“Unë shpresoj që ta shfrytëzojmë këtë moment të mirë dhe formën e tyre ideale që ta kthejmë në epërsi për skuadrën Kombëtare, dhe pse jo të kualifikohemi si djemtë që e arritën disa vite më herët”, – ka shtuar Maksuti. Të dyja vajzat kanë kërkuar mbështetjen e tifozëve në sfidën me Finlandën
“Dua ti ftoj tifozët në stadium, të shohin ekipin kombëtar dhe ne do të bëjmë një lojë të mirë për t’i kënaqur”, – ka përfunduar sulmuesja kuqezi. Ndeshja Shqipëri-Finlandë do të luhet më 2 shtator 2019, në Stadiumin “Elbasan Arena”.