AlbanianSport.com 29/08/2019 19:20
ASNN – Kampionia e Shqipërisë merr një organizator amerikan, shkodranët shtojnë kontingjentin e të huajve. Kampionati Kombëtar i Basketbollit nis në tetor, por skuadrat kanë nisur përforcimet, duke përvijuar dalëngadalë edhe synimet e tyre. Kampionia në fuqi, Goga Basket ka firmosur me organizatorin amerikan, Xhulian Uolltërs, 24-vjeçarin sapo ka dalë nga radhët e kampionatit të kolegjeve amerikane. Ndërkohë, Vllaznia vazhdon të shtojë kontingjentin e të huajve.
Kështu, teksa është mbyllur që në grup edhe pjesëmarrja e Shqipërisë në Paraeliminatoret e Evropianit 2021, por edhe pjesëmarrja e përfaqësueseve të tjera të grupmoshave, si për vajza, ashtu edhe për djem, basketbolli shqiptar tanimë e ka kthyer tek Kampionati Kombëtar, i cili nis në tetor. Dhe skuadrat kanë nisur përforcimet, duke përvijuar dalëngadalë edhe synimet e tyre. Natyrisht, vëmendja kryesore është tek kampionia në fuqi, Goga Basket.
E cila shkroi historinë sezonin e shkuar, teksa vetëm në vitin e dytë të ekzistencës së saj në koshin shqiptar të meshkujve, arriti të siguronte kurorën e më të mirës. Tanimë skuadra durrsake ka konfirmuar edhe për një vit tjetër në postin e trajnerit Melzin Lazimin, 25-vjeçarin që e udhëhoqi sezonin e shkuar Goga Basketin drejt triumfit në përballjen finale me rivalen bashkëqytetase, Teutën. Ndërkohë, ditët e fundit është mësuar se skuadra durrsake ka firmosur me organizatorin amerikan, Xhulian Uolltërs. 24-vjeçari sapo ka dalë nga radhët e kampionatit të kolegjeve amerikane (NCAA), ku ka luajtur në Divisionin e parë me “East Tennessee State”, Alabama A&M dhe “North Carolina Central”. Basketbollisti 1 m e 78 cm i lartë, që peshon 79 kg, ka spikatur me skuadrat ku ka luajtur, ndërsa në vitin e tij të parë si i rritur, ai kishte një mesatare prej 3.5 pikësh të realizuara, 2.2 topash të zotëruar në tabelë dhe 2.4 pasimesh për kosh në 12.4 minuta lojë për çdo ndeshje.
Ndërkaq, një tjetër skuadër që ka bërë përforcime të shumta ka qenë Vllaznia, dhe, pasi ka firmosur pak ditë më parë me lojtarin e Kombëtares dhe ish-lojtarin e nënkampiones së sezonit të shkuar, Teutën, Robert Shestanin, klubi shkodran ka nënshkruar edhe me një tjetër amerikan, Brajkis Perinë. Vllaznia ka një trajner të ri, bullgarin Nikolai Gospodinov, ndërsa përgjatë javëve të fundit ka nënshkruar me qendrën 2 m e 10 cm të lartë, Nikolas Evansin.
Por edhe me amerikanin tjetër Xhonathan Hadsonin, si dhe, më së fundmi, edhe me amerikanin e ardhur nga Lipjani i Superligës së Kosovës, Moris Uilliamsin. Përforcime pritet të bëjë edhe Teuta, por edhe rivalet kryeqytetase të koshit të meshkujve, Partizani dhe Tirana, ndonëse hëpërhë nuk ka informacione konkrete për lëvizjet e tyre.