AlbanianSport.com 27/08/2019 21:30
ASNN – Takimi i parë i javës së dytë prodhon 40 minuta ndërprerje dhe gjithçka tjetër, por jo golin. Kartonë të verdhë, dy shtylla horizontale të goditura, nga një për secilën pjesë loje dhe një ndeshje që zgjati plot 150 minuta, por që nuk prodhoi dot golin. Kjo ishte me pak fjalë përmbledhja e e takimit midis Tiranës dhe Teutës, që ngriti të martën të mbrëmje siparin e javës së dytë të Kategorisë Superiore dhe që u mbyll me rrjeta të paprekura.
Ka zgjatur plot 150 minuta, i ka patur të gjitha, por ajo që i ka munguar ka qenë pikërisht goli. Takimi midis Tiranës dhe Teutës, që ngriti siparin e javës së dytë të Kategorisë Superiore është mbyllur me rrjeta të paprekura dhe të dyja skuadrat kanë ndarë nga pikë. Në fakt, ndeshja e zhvilluar në Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit ka qenë e vakët në 22 minutat e para të saj, teksa skuadrat janë mjaftuar me aksionet nga krahët, aty ku Hoxhallari për Tiranën dhe Vila për durrsakët nuk arrijnë të gjejnë shokët brenda zonës kundërshtare, ndërsa as goditja me kokë brenda zonës e Vecajt nuk e katërkëndëshin e mbrojtur nga Lika. Minuta e 22-të do të sjellë edhe problemin me ndriçimin në “Selman Stërmasi”, teksa fiken disa prozhektorë dhe ndeshja ndërpritet. Një ndërprerje që do të zgjasë afro 40 minuta, por që, menjëherë pas ndezjes së prozhektorëve do të ndizet edhe loja. Është pranë golit Tirana, pasi Hoxhallari provon me një gjuajtje nga goditja e dënimit, largon në vështirësi Frashëri dhe më pas topi shkon te Ngoja, i cili gjuan nga brenda zonës, por topi rrok shtyllën horizontale. Një rast ideal për bardheblutë, të cilët madje pretendojnë se portieri i durrsakëve e ka pritur topin brenda vijës fatale. E teksa Kuro dhe Aleksi, e më pas edhe Ngoja, i bashkohen Vilës dhe Bathës në bllokun e kartonëve të verdhë të gjyqtarit Hamitaj, Tirana pretendon për 11-metërsh në minutën e 36-të, pas rrëzimit të Grent Halilit brenda zonës, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari Hamiti. Minutat e mbetura nuk do të sjellin zhvillime të tjera dhe pjesa e parë në “Selman Stërmasi”, një pjesë e parë që zgjat 80 minuta, u mbyll me rrjeta të paprekura. Edhe pjesa e dytë nis e baraspeshuar dhe, përtej dy ndërrimeve tek Tirana, teksa largohen Kobinah dhe Halili, vendin e tyre e zënë Çelhaka dhe Kërçiku, ndërsa tek Teuta, largohet Kallaku i dëmtuar dhe vendin e tij e zë Roni Gashi, edhe Doka me Rustem Hoxha ndëshkohen me kartonë të verdhë. Në minutën e 62-të, Emiljano Vila i lë vendin Lorenco Vilës tek Teuta dhe dy minuta më pas, vjen një goditje dënimi për durrsakët, Avdyli harkon një top të rrezikshëm në zonë dhe vendimtare është ndërhyrja e Imamit, që largon rrezikun në këndore. Tirana kryen edhe ndërrimin e fundit dhe Ngo i lë vendin Dungës dhe menjëherë Rustem Hoxha shpërdoron në mënyrë të pabesueshme për Teutën, shumë pranë vijës fatale. Ndonëse Tirana shtyn përpara në kërkim të golit të epërsisë, mungojnë rastet konkrete në portën e Frashërit dhe vetëm në minutën e 85-të, bardheblutë do t’i afrohen golit. Ka drithërima në portën e Frashërit, teksa shtylla horizontale i mohon golin Edon Hasanit. Aksioni vijon dhe Kale provon me një harkim të rrezikshën, por topi shkon mbi portën e durrsakëve. Përtej 5 minutave të mbetura dhe 4 minutave shtesë, nuk ka gol kjo sfidë dhe java e dytë nis me një barazim, i pari ky për këtë sezon të ri të Kategorisë Superiore.