AlbanianSport.com 26/08/2019 22:25
ASNN – 45 “bilbilat” e nivelit të 3-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, gati për sezonin e ri. Në mjediset e Stadiumit “Elbasan Arena” është zhvilluar në fundjavë një seminar me gjyqtarët e nivelit të 3-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Dytë.
Ky seminar njëditor, që ishte teorik dhe i ndjekur më pas nga testimet teorike dhe fizike, ishte në vazhdën e seminareve që Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), ka zhvilluar përgjatë ditëve të fundit, duke nisur nga gjyqtarët e Kategorisë Superiore dhe duke vijuar me ata të Kategorisë së Parë.
Seminari me gjyqtarët e Kategorisë së Dytë, që nis në shtator, është drejtuar nga Shefi i Sektorit të Gjykimit të organizmi që qeveris futbollin në vend, Sokol Jareci, dhe ka patur për qëllim informimin e “bilbilave” me ndryshimet më të fundit të rregullores së lojës dhe zbatimin e tyre në fushën e blertë.
Në këtë seminar ishin të pranishëm 45 gjyqtarë të cilët do të administrojnë ndeshjet e Kategorisë së Dytë.