AlbanianSport.com 24/08/2019 18:45
ASNN – Dalipi “braktis” Luftëtarin. Në vend të tij emërohet Klodian Duro. “Kur të vijnë hallet, hapu derën”, – thotë një shprehje popullore. Në këtë situatë ndodhet Luftëtari. Pa u rregulluar ende problemet financiare, pa u kompletuar ende me lojtarë, tani mbetet edhe pa trajner.
E kur duhen vetëm 24 orë që të nisë kampionati. Trajneri Klevis Dalipi, i cili kishte gati një muaj që po drejtonte Luftëtarin, mëngjesin e të premtes është larguar në mënyrë të papritur nga detyra, pa lajmëruar asnjë. Ai që ka sqaruar situatën ka qenë administratori i kompanisë sh.a Luftëtari, Artan Laze.
Në vend të Dalipit, Luftëtari do të drejtohet nga Klodian Duro, i cili mbante edhe detyrën, e drejtorit sportiv. Ai do të drejtojë skuadrën në ndeshjen me Tiranën. Laze ka deklaruar se Luftëtari do të jetë në të ardhmen e afërt një surprizë në kampionatin shqiptar, me synimin jo vetëm qëndrimin në superiore por edhe për një vend në Kupat e Evropës.