AlbanianSport.com 21/08/2019 21:15
ASNN – Skuadra e trajnerit Afrim Bilali flirton me fitoren e shumëdëshiruar, por ndëshkohet në fund. Sa pranë, sa larg… Kështu mund të cilësohet ndeshja e fundit e Kombëtares kuqezi të basketbollit për meshkuj në kuadër të grupit B të Paraeliminatoreve të Evropianit 2021, e luajtur të mërkurën përballë Danimarkës.
Në fakt, ndeshja e zhvilluar Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës dhe e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka një një përballje me dy tablo, pasi janë miqtë që e fillojnë më mirë takimin dhe, përtej reagimit të kuqezinjve, e fitojnë 10-minutëshin e parë 20-16.
Megjithatë, Kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga trajneri Afrim Bilali, e ka marrë veten në 10-minutëshin e dytë, duke arritur madje ta fitojë atë 17-14. Por janë danezët që shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave, duke kryesuar me shifrat e ngushta 34-33. Pjesa e 3-të e ndeshjes ka vijuar të flasë për kuqezinjtë, të cilët luftojnë pikë për pikë me kundërshtarin dhe e fitojnë atë 18-15, duke bërë që madje të marrin kryesimin e ndeshjes në shifrat 51-49.
Por 10-minutëshi i 4-t dhe i fundit ka qenë për t’u harruar për Shqipërinë, e cila arrin të gjejë koshin pas plot 8 minutash e gjysmë lojë, përkundër një epërsie të pjesshme prej 17 pikësh të kundërshtarit. Në përfundim, Shqipëria shënon vetëm 6 pikë në këtë 10-minutësh të fundit, përkundër 19 pikëve të Danimarkës, që e fiton takimin me rezultatin e përgjithshëm 68-57.