AlbanianSport.com 10/08/2019 20:00
ASNN – I pranishëm në mjediset e organizmit që qeveris futbollin shqiptar në kryeqytet, ku u hodh shorti i sezonit të ri të Kategorisë Superiore, Drejtori i Përgjithshëm i klubit “kampion” në fuqi, Partizanit, Olsi Rama, nuk kishte si të mos tërhiqte vëmendjen e mediave. Të kuqtë kryeqytas do ta nisin betejën për mbrojtjen e titullit më 24 gusht 2019, me një përplasje “titanësh” për Kategorinë Superiore.
Përballë “demave” do të jenë nënkampionët e vendit, që kanë në drejtim një njohje të vjetër të të kuqve, si Shpëtim Duro. “E nisim më 18 ndaj Kukësit në Superkupë dhe më pas sërish me Kukësin, – ka thënë Drejtori Rama. – Ky është kampionati dhe do të bëjmë ndeshje të mëdha. Natyrisht, dy ndeshje me të njëjtin ekip, sidomos në vapën e verës, nuk janë asnjëherë të dëshiruara, por ky është kampionati.”
“Ky është shorti, – ka vijuar ai. – Ne do të bëjmë ndeshjet tona. Kemi dy ndeshje jashtë fushe dhe shikoj ndeshjen e fundit i bie në Korçë. Partizani është gati. Kemi shumë elementë cilësorë në ekip. E kemi përforcuar grupin aty ku kishim mangësi. Stafi teknik po përgatitet. Pas pjesëmarrjes në veprimtaritë kontinentale, po bëjmë një minifazë për të kapur ritmin e kampionatit.”
“Kupat e Evropës ofrojnë sfida të forta dhe aty matëm forcën e ekipit. Tani mendojmë për kampionatin, i cili është mjaft i gjatë”, – ka përfunduar , Drejtori i Përgjithshëm i klubit “kampion” në fuqi, Partizanit, Olsi Rama.