AlbanianSport.com 10/08/2019 15:25
ASNN – Spanjolli spikat në provat zyrtare, Çmimi i Madh i Austrisë, të dielën, ora 14:00, drejtpërdrejt në RTSH. Piloti i “Hondës” e ka siguruar të shtunën në mënyrë bindëse nisjen nga vendi i parë të dielën në garën e Çmimit të Madh të Austrisë në Moto GP, duke thyer gjithashtu edhe rekordin e Mik Duhánit për numrin më të madh të nisjes nga vendi i parë në nivelin më të lartë të Botërorit të Motoçiklizmit. Kjo e bën garën e 11 gushtit 2019, një spektakël të garantuar, që sigurisht do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.
Supozohej të ishte pista që e ka sfiduar gjithmonë, por këtë radhë, Mark Markezi premton të jetë ndryshe. Që kur Austria u rikthyer në kalendarin e garave të Botërorit të Motoçiklizmit, në 2016-ën, vetëm “Dukati” ka triumfuar aty në nivelin më të lartë, atë të Moto GP-së. Kjo nënkupton se kampioni në fuqi i botës, Mark Markezi i “Repsol Honda”-s, ende nuk e ka pushtuar pistën e Shpilbergut, por duket se do të jetë 2019 viti kur ai do t’i dalë. Piloti i “Hondës” e ka siguruar në mënyrë bindëse nisjen nga vendi i parë të dielën në garën e Çmimit të Madh të Austrisë në Moto GP.
Ai ka thyer gjithashtu edhe rekordin e Mik Duhánit për numrin më të madh të nisjes nga vendi i parë në nivelin më të lartë të Botërorit të Motoçiklizmit. Nisja për herë të 59-të nga vendi i parë në Moto GP për Markezin, erdhi me një rekord të ri të xhiros, pasi ai la pas kohën e vendosur nga Andrea Janone në vitin 2016, duke vendosur kohën e re prej 1 minutë, 23 sekonda e 27 të mijëtat. Rreshtin e parë të nisjes do ta plotësojë Fabio Kuartararo i “Jamaha”-s kliente dhe Andrea Doviciozo i Dukatit”.
Ndërkaq, nga vija e dytë do të nisen me radhë Maverik Vinjales i “Jamaha”-s, Françesko Banjaja i “Pramak Dukatit” dhe Taka’aki Nakagami i “LCR Hondës”. Dhjetëshen e të parë do ta plotësojnë Aleks Rinsi i “Suzukit, Xhek Milleri i “Pramak Dukatit”, Kal Kraçlou i “LCR Hondës” dhe Valentino Rosi i “Jamaha”-s. Ashtu sikundër provat zyrtare të shtunën, edhe gara e së dielës do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 14:00.