AlbanianSport.com 08/08/2019 15:20
ASNN – Duket se në fund të kësaj merkatoje verore, Gareth Bejli, mund të jetë në fund një lojtar i Bajernit të Mynihut. Teksa uellsiani refuzoi kalimin në Kinë te Xhijangsu Saning, zgjidhja e vetme për kushtet e lojtarit të Real Madridit janë bavarezët dhe këtu ka edhe një arsye madhore komerciale, që quhet “adidas”. Drejtuesit madrilenë dhe ata të klubit gjerman kanë marrëdhënie të shkëlqyer dhe kjo u pa edhe në huazimin e Hames Rodrigezit dy sezone më parë.
Për të cilin Bajerni pagoi 13 milionë euro për huazimin 2-vjeçar dhe kishte mundësi ta blinte për 42 milionë të tjera në fund të qershorit të kaluar, por që nuk ndodhi kështu, pasi gjermanët nuk e konsideronin në planet tyre. Kësisoj, shitja e kartonit të Bejlit duket e vështirë, por jo e pamundur. Gazeta e njohur spanjolle “Marca” ka bërë me dije se ai mund të kalojë në Mynih në formë huazimi me detyrim blerjeje. Arsyeja është e thjeshtë: Bejl mund të rilindë në Gjermani.
Dhe, për më tepër, ai është një markë më vete, reklamimi dhe fama e tij mund të sjelin të ardhura të fuqishme në arkat e klubit bavarez, që në vitet e fundit ka qenë i tërhequr nga paraja e madhe. Fakti që Bejli është i lidhur me markën “Adidas”, ashtu si dhe kampionët e Bundesligës, mund të shërbejë si një trampolinë për të nisur një aventurë të re në karrierën e suksesshme të lojtarit. Duhet theksuar se kompania e mirënjohur e pajimeve sportive vesh prej shumë vjetësh edhe Realin e Madridit.