AlbanianSport.com 06/08/2019 18:15
ASNN – Kreu i “Mercedesit” zbulon sesi e motivoi pilotin drejt triumfit me fjalët e të atit. Drejtori i “Mercedesit”, Toto Volfi, zbuloi se fjalët e të atit të Hemiltonit, Antonit, i dhanë idenë sesi mund ta mbante pilotin të përqendruar drejt fitores të dielën në Çmimin e Madh të Hungarisë. “Babai i tij më tha diçka, se ishte vetëm një fjali për të cilën kisha nevojë. “Ti mund t’ia dalësh!”, ishte fjalia e tij dhe ne e dinim që Ljuisi mund t’ia dilte”, – zbuloi Volfi.
Një drejtues skuadre duhet të përdorë një numër teknikash administrimi gjatë gjithë sezonit dhe ai i “Mercedesit”, Toto Volf, e motivoi Ljuis Hemiltonin në Hungari duke përdorur fjalët e të atit. Hemiltoni ushtroi trysni ndaj kryesuesit Maks Verstapen gjatë gjithë garës, por kishte një problem me frenimin, që i ndërlikonte atij gjithçka në parakalim. Kështu që “Mercedesi” vendosi të bënte një ndalesë të dytë dhe të vinte goma të reja, duke i krijuar ndërkohë kampionit në fuqi të botës një hendek me kryesuesin e garës, që në ato çaste, dukej i pamundur për t’u ngushtuar.
Por Volfi zbuloi se fjalët e të atit të Hemiltonit, Antonit, i dhanë idenë sesi mund ta mbante pilotin të përqendruar. “Ne ishim shumë në mëdyshje, sepse e dinim që duhej të rifitonim një sekondë për çdo xhiro”, – ka zbuluar pas garës austriaku i skuadrës gjermane, duke vijuar: “Ishte një periudhë kur Verstapeni po e shfrytëzonte gjithë kapacitetin e motorit të tij dhe po ruante ritmin e Ljuisit. Dhe kur inxhinieri ynë, Bono, i tha pilotit se kohët e xhirove të dy rivalëve ishin të njëjta, mund të dëgjohej në kufje, në zërin e Hemiltonit, zhgënjimi që ne kishim bërë atë ndalesë të dytë.”
“Por, në njëfarë mënyre, Ljuisi e rigjeti besimin në vetvete, ngaqë mbase edhe e motivuam ne nëpërmjet komunikimit radiofonik. Babai i tij më tha diçka, se ishte vetëm një fjali për të cilën kisha nevojë. “Ti mund t’ia dalësh!”, ishte fjalia e tij dhe ne e dinim që Ljuisi mund t’ia dilte. Edhe pse xhirot po shkonin drejt fundit, ne menduam se, thjesht duke i thënë pilotit se po e arrinte Verstapenin, kjo mund ta ndihmonte atë ta arrinte holandezin. Për fatin tonë të mirë, funksionoi”, – përfundoi drejtori ekzekutiv i “Mercedesit”.
Hemiltoni shkon në pushimin e gjysmësezonit të Formulës 1 me 8 fitore të arritura në 12 gara dhe kjo e fundit, sipas Toto Volfit, ishte një nga më të mirat e tij sa i përket pilotimit.