AlbanianSport.com 13/07/2019 20:05
ASNN – Trajneri i të kuqve kryeqytetas, besimplotë për ndeshjen e kthimit, provohen edhe 11-metërshat. Kanë kaluar ditë të mjaftueshme nga e mërkura dhe tanimë trajneri i Partizanit, Franko Lerda, reflekton me qetësi nga ajo ndeshje e parë me Karabagun. “Po, e kemi parë dhe riparë ndeshjen, kemi parë aksionet e veçanta që na interesojnë, si atëherë kur e kishim ne topin, ashtu kur nuk e kishim dhe kemi nxjerrë konkluzione pozitive”, – pohuar ai për mediat.
“Jemi besimplotë sepse kemi parë që është një ndeshje e ndërlikuar dhe e vështirë, por edhe ne do të luajmë mundësitë tona”, – shtoi italiani. Duke folur të dielën në Stadiumin e Kamzës, Lerda thotë se Partizani është gati. “Po, jemi gati, – tha trajneri. – Nesër kemi edhe një seancë stërvitore para se të nisemi për në Baku, por do të thoja që, deri tani, gjithçka po shkon mirë. Për formacionin do të shohim, se kemi edhe 3 ditë, por do të shohim kush është më mirë.”
Trajneri i të kuqve kryeqytetas është mjaft i qartë në filozofin e tij të lojës. “Loja është që kur e kanë të tjerët topin, ne mbrohemi, kur e kemi ne, synojmë të sulmojmë, – theksoi Lerda. – Jam shumë i kënaqur me të gjithë. Sigurisht ka gjithmonë vend për përmirësim, të sapoardhurit nuk janë ende në formë dhe kur të jenë, do të na japin patjetër një dorë.” Megjithatë, italiani i stolit të Partizanit nuk ka iluzione për atë që e pret në ndeshjen e kthimit.
“Jemi besimplotë, por nëse do të jemi të suksesshëm, do ta shohim pas ndeshjes, – tha Lerda. – Luajmë me një skuadër që ka një buxhet prej 25 milionë Eurosh, një skuadre që është mësuar të luajë në Kupat e Evropës dhe që në 3 vitet e fundit ka qenë dy herë në fazën e grupeve, kështu që e dimë se çfarë kemi përpara. Por, në futboll mund të ndodhë gjithçka. Partizani ka praktikuar edhe goditjet nga pika e bardhë e 11-metërshve dhe trajneri 52-vjeçar nuk e ka fshehur se është i përgtitur edhe për këtë skenar ne Baku.
“Është edhe kjo mundësi në lojë, prandaj kërkojmë të jemi gati, të jemi të përgatitur që, edhe nëse paraqitet ky variant, të jemi në lartësinë e duhur”, – përfundoi ai. Takimi i kthimit midis Karabagut dhe Partizanit, do të luhet të mërkurën në mbrëmje në kryeqytetin azer.