AlbanianSport.com 12/07/2019 17:20
ASNN – Kurbinasit, “të dënuar” nga goli i pësuar në fushë të vet, por historia u jep besim për kthimin. Përtej rezultatit 1-1, që favorizon izraelitët e Hapoel Bir Shevas për ndeshjen e kthimit, falë golit në fushë të huaj, Laçi ka dhuruar lojën më të mirë të takimeve të para të ekipeve shqiptare në Ligën e Evropës. Megjithatë, kurbinasit i kanë shanset e veta edhe për ndeshjen e kthimit, aty ku trajneri kryeqytetas i laçjanëve u kërkon të tijve të luajnë siç bënë në ndeshjen e parë.
Në atë që ishte një e enjte e hidhur për ekipet shqiptare në veprimtarinë e dytë të futbollit të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës, Laçi ka qenë e vetmja rreze shprese në zymtësinë e mbrëmjes. Përtej rezultatit 1-1, që favorizon izraelitët e Hapoel Bir Shevas për ndeshjen e kthimit, falë golit në fushë të huaj, kurbinasit kanë dhuruar lojën më të mirë të takimeve të para të ekipeve shqiptare, ndonëse trajneri Sulejman Starova e pranon se mund të ishin korrigjuar disa aspekte të lojës.
Megjithatë, Laçi i ka shanset e veta edhe për ndeshjen e kthimit, aty ku trajneri kryeqytetas i lapjanëve u kërkon të tijve të luajnë siç bënë në ndeshjen e parë. Në fakt, Laçi ka spikatur gjithmonë në pjesëmarrjet e tij në Ligën e Evropës, ku ka marrë pjesë në 6 nga 10 sezonet e fundit, por sidomos në 4 edicionet e fundit, ku, duke luajtur me pasion dhe me besim në vetvete, ka arritur të shkojë deri në turin e dytë të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit.
Edhe para 4 vjetësh me Rudar Velenjen barazoi 1-1 në fushën e vet, por vijoi të kualifikohej pas një rezultati identik në fushë të huaj dhe triumfit nga pika e bardhë e 11-metërshve, ashtu sikundër triumfoi edhe sezonin e shkuar në turin e parë ndaj qipriotëve të Anothorsisit të Famagustës. Për këtë arsye, edhe barazimi i parë me izraelitët që kanë shijuar sukses edhe në fazën e grupeve të veprimtarive kontinentale, është një rezultat që jep shpresë.
Ashtu sikundër japin shpresë edhe fjalët e trajnerit hebre, Barak Bakhrar, i cili ka veçuar dy sulmuesit e Laçit, por edhe Redon Xhixhën, i cili për pak sa shënoi golin e dytë të kurbinasve, por që duket se do të përfshihet në merkaton e verës për një klub më të madh në sezonin e ri.