AlbanianSport.com 11/07/2019 22:35
ASNN – Drejtuesi i “Dukatit”, Çiabati, ka thënë se “Honda” po fiton në sajë të pilotit të saj Mark Markez. Por tepër i ashpër ka qenë reagimi i bosit të “Hondës”, Puig, i cili është shprehur se me skuadrën e tij kanë fituar shumë pilotë, ndër vite, ndërsa me “Dukatin” vetëm një, Kejsi Stoner. Me këtë numri 1 i “Hondës” ka dashur të tregojë se, në skuadrën e tij kanë punuar shumë për të bërë një motor konkurrues, ndërsa tek “Dukati” kanë mbetur prapa.
Bosi i HRC-së, Alberto Puig në një intervistë për “El Confidencial”, i përgjigjet ashpër, homologut të tij tek Dukatit, Çiabati, i cili ka quajtur fitoret e “Hondës”, të arritura vetëm në sajë të Markezit. “Mendoj se Çiabati duhet të shikojë të gjitha garat e 500 cc të Moto GP-së që ka fituar “Honda”, – ka thënë ai. – Të gjithë titujt, në histori. E ndoshta, po t’i kishte parë nuk do të kishte thënë ato fjalë.”
“E qartë është se “Dukati”, me të gjitha sforcimet që po bën, që janë me të vërtetë jashtë të gjitha mundësive, ka fituar vetëm një kampionat. Dhe të gjithë ata që e njohin historinë e kësaj kategorie motorësh, e dinë se ai titull u fitua vetëm nga Kejsi Stoner. Përpjekjet që “Dukati” po bën në këtë kampionat, me atë që po merr, janë me të vërtetë në disnivel” – ka thënë me tone të ashpra numri 1 i “Hondës”.
Tek “Honda” janë bërë përpjekje ndër vite për të përmirësuar motorin dhe për ta bërë atë më konkurrues. Ndërsa te Dukati, duke parë edhe historinë duket se kanë mbetur në vendnumëro. Për këtë fakt, Puig ka shtuar: “Me aq sa di unë, Markezi ka fituar me këtë motor, po ashtu si Stoneri, Dohani, Spenser, Lousoni, Hejdeni dhe Rosi. Pra, me “Honda” kanë fituar shumë pilotë.”
“Ndërsa me “Dukatin” ka fituar vetëm një pilot, në një vit dhe në rrethana të veçanta. Kaq dhe pikë. E që nga ai vit, “Dukati” po sforcohet shumë, sidomos me rregullat e reja teknike. Besoj se janë duke provuar gjithçka, por deri tani asgjë. Deri më sot nuk kanë fituar asgjë”, – ka përfunduar bosi i “Hondës”, Puig, duke folur për “El Confidencial”.