AlbanianSport.com 09/07/2019 21:10
ASNN – Doviciozo e sheh Markezin tani të paarritshëm. Ai është 54 pikë larg pilotit spanjoll të “Hondës” në renditjen botërore dhe, kur kanë mbetur edhe 10 gara deri në përfundim të Botërorit, duket se italiani i “Dukatit” është dorëzuar në luftën për titull. Edhe Petruçi thotë se motori i tyre ka arritur kufirin maksimal, e nuk mund të japë më shumë. Sipas numrave, ata janë ndjekësit më të afërt, në renditjen botërore për pilotë në Moto GP.
Por distanca midis tyre është shumë më e madhe se sa do të dëshironin. Kështu Doviciozo dhe Petruçi shkojnë në periudhën e pushimeve, me 58 dhe 64 pikë prapa kryesuesit, pilotit i “Repsol Hondës”, që mund të përkthehet në një distancë prej më shumë se dy gara. Të dy pilotët italianë kanë dy gara që nuk ngjiten në podium, por ajo që i shkurajon ata më shumë është se ata nuk po munden të afrohen me Markezin për të krijuar dyluftim me të.
Kjo është ajo që Doviciozo shpjegon në deklaratat e bëra për “Motorsport”. “Në garat e ardhshme do të mundohem të jem më konkurrues, por kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të filluar luftën me Markun, – ka thënë ai. – Ne do të përpiqemi të luftojmë kundër vetes tonë, pasi nuk jemi në kushte për të mundur pilotin e “Hondës”. Dy garat e fundit kanë treguar distancën që kemi nga rivalët tanë, nuk ka shumë për të thënë, nuk jemi aq konkurrues sa të duam.”
“Ne jemi shumë të ngadalshëm në mes të kthesës, gjë ku duhet të përqendrohemi”, – ka thënë Andrea Doviciozo për problemin kryesor që sheh në motorin e tij. Petruçi nuk ka shumë gjëra pozitive për të thënë në lidhje me motorin e tij, edhe pse vetëm një muaj më parë në Muxhelo arriti fitoren e tij të parë me “Ducatin”. “Është shumë shqetësuese që në Gjermani dhe në Asen kemi qenë gati gjysmë xhiro prapa me fituesin, nuk jemi të lumtur fare”, – ka thënë ai.
“Kemi bërë gjithçka të mundur, por duket sikur kemi arritur limitin e këtij motori”, – thotë Danilo. Kanë mbetur edhe 10 gara për t’u zhvilluar ende dhe “Dukati” nuk ka shumë kohë për t’u përmirësuar e për të arritur “Hondën” e Markezit.