AlbanianSport.com 08/07/2019 08:55
ASNN – Botërori spektakolar i Francës uli siparin, amerikanet mposhtën Holandën 2-0 në finale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë dalë të dielën të mbrojnë me sukses kurorën e “kampiones” së botës në futbollin e femrave, pasi ka triumfuar në finale ndaj Holandës me rezultatin 2-0. Kjo finale, që ka ulur siparin e një Botërori spektakolar, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, u vendos në favor të amerikaneve nga dy gola në pjesën e dytë.
Kampionati Botëror i Futbollit për Femra, që u zhvillua përgjatë në Francë nga 7 qershori deri më 7 korrik 2019, ka ulur të dielën siparin e tij me finalen, që ka vënë përballë kampionen në fuqi të planetit, përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe kampionen në fuqi të Evropës, Holandën. Dhe amerikanet ia kanë dalë të fitojnë me rezultatin 2-0, me dy gola në pjesën e dytë. Kjo finale, ka dhuruar një pjesë të parë mjaft të bukur, të mbizotëruar nga amerikanet, të cilat nuk kanë arritur sidoqoftë ta gjejnë golin.
Një gjë e tillë ka ardhur edhe për pasaktësi në finalizim, por edhe për meritë të gardianes holandeze të portës, Sari Van Venenda’al, e cila, me pritjet apo devijimet e saj instinktive, nuk ka lejuar prekjen e rrjetës së saj. Kësisoj, me rrjeta të paprekura do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa në ato të dytat, gjithçka do të vendoset nga dy episode të ndodhura brenda 8 minutash. Amerikanet do të fitojnë në minutën e 60-të të drejtën e një 11-metërshi, të akorduar nga kryesorja franceze, Stefani Frapart, edhe me ndihmën e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR) dhe kapiteni Rapino’ tregohet e saktë nga pika e bardhë.
Vetëm 8 minuta më pas, Lavelle do të depërtojë bukur dhe do të godasë zgjuarsish në kufinjtë e zonës dhe do të përshëndesë rrjetën, duke dyfishuar epërsinë e amerikaneve. 25 minutat e mbetura të kohës së rregullt dhe ato shtesë nuk kanë sjellë më gola të tjerë, edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë patur një numër rastesh për shënim, por pa arritur t’i shndërrojnë ato në gol. Përfundimisht, amerikanet mposhtin Holandën 2-0 dhe mbrojnë me sukses kurorën e “kampiones” së botës në futbollin e femrave.