AlbanianSport.com 14/06/2019 20:15
ASNN – 21-vjeçarja triumfon në një konkurs bukurie, synon përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë. Volejbollistja Sindi Marina ka triumfuar ditët e fundit në konkursin e bukurisë “Miss Universe Albania” . Duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, 21-vjeçarja tha se sporti e ka ndihmuar edhe në këtë konkurs bukurie. Tanimë, bukuroshja shqiptare, që shpreson të shërbejë si model për vajzat shqiptare, e ka hedhur vështrimin drejt konkursit botëror të bukurisë.
E suksesshme në parket, por po aq e suksesshme edhe në pasarelat e modës. Kjo është ajo që ka ndodhur me volejbollisten e Kombëtares kuqezi, Sindi Marina, e cila është kurorëzuar ditët e fundit si “Miss Universe Albania” dhe gjithçka ka nisur me një dëshirë. Duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, 21-vjeçarja tha se sporti e ka ndihmuar edhe në këtë konkurs bukurie. Marina thekson se gjatë gjithë kohës ka ndjerë pranë gjithë komunitetin e volejbollit shqiptar.
Tanimë, bukuroshja e sportit, që shpreson të shërbejë si model për vajzat shqiptare, e ka hedhur vështrimin drejt konkursit botëror të bukurisë. 21-vjeçarja e talentuar është prej 5 vjetësh pjesë e Kombëtares kuqezi të volejbollit të femrave, në rolin e pasueses. Po kështu, ajo ka patur një karrierë të shkëlqyer në volejbollin amerikan të femrave, duke arritur deri në çerekfinale në shkallë kombëtare të kampionatit të kolegjeve në Shtetet e Bashkuara.