AlbanianSport.com 13/06/2019 13:50
ASNN – E pati blerë për 105 milionë Euro, klubi anglez tanimë synon dyfishin e çmimit për francezin. E përditshmja e njohur britanike, “Dejli Mirrër”, ka njoftuar të mërkurën se Mançester Junajtid i ka caktuar tashmë çmimin Pol Pogbasë, i cili ka kërkuar largimin nga “Olld Trafordi”. Klubi anglez do ta lërë të lirë mesfushorin francez gjatë verës nëse merr ofertë prej 190 milionë Eurosh.
26-vjeçari Pogba është kritikuar shumë edicionin e fundit për paraqitjet e tij dhe për këtë arsye nuk dëshiron të qëndrojë. Ai ka kontratë me Mançesterin Junajtid deri më 2021-shin, me mundësinë për ta rinovuar edhe për një vit tjetër. Në edicionin e fundit, Pogbaja shënoi 16 gola dhe dha 11 pasim për gol në 47 ndeshe në të gjitha veprimtaritë.
Francezi u kthye nga Juventusi tek “Djajtë e kuq” në verën e vitit 2016, pas 4 vjetësh në Itali dhe kundrejt një çmimi prej 105 milionë Eurosh. Duhet theksuar se, sipas burimeve të medieve portugeze, pretendohet se ish-trajneri i atëhershëm, Zhoze Murinjo, nuk ishte pyetur nga Mançester Junajtid për transferimin e Pol Pogbasë, pasi klubi vendosi për rikthimin e francezit në “Olld Traford” për arsye komerciale.
Sipas këtyre burimeve, klubi anglez i kishte rikuperuar për 6 muaj 89 milionë stërlinat (105 milionë eurot) që kishte paguar Juventusit. Duket se tanimë klubi anglez po kërkon të përfitojë thuajse dyfishin duke e shitur kampionin e botës, pas vetëm 3 vitesh në Premier Ligë.