AlbanianSport.com 13/06/2019 12:00
ASNN – Rafael Nadal e ka fituar “Roland Garronë”, për herë të 12-të, duke treguar hegjemoninë e tij në fushën me dhè të kuq të turneut francez. 12 herë “kampion”, në një periudhë kohore prej 15 vitesh. Rafael Nadal, një “jashtëtokësor”, e ka ngritur kupën në Paris, për herë të parë në 2005-ën. Dhe që atëherë ai është kampion i përhershëm, i palodhur, kolosal në “Filip Shatrie”.
Ai tashmë ka fituar 18 turne madhorë të tenisi (Grend Slems), dy më pak sesa Rozher Federeri, me 20 të tillë. Si një makineri, spanjolli arrin 93 fitore në “Roland Garro” dhe vetëm 3 humbje, në 2009-ën, 2014-ën dhe 2015-ën. Por përveç kësaj, fitorja e spanjollit në Paris, ka patur edhe një përfitim financiar. Këtë vit, shuma e shpërblimeve është rritur me 8% të totalit krahasuar me vitin e kaluar.
Duhet të mbahet parasysh se të dy fituesit si për meshkuj edhe për femra kanë marrë të njëjtën sasi parash. Rafael Nadal mori 2.3 milionë Euro për titullin e fituar në fundjavë në kryeqytetin francez, por aq edhe Eshli Barti. Finalistët, Dominik Tim dhe Markéta Vondroushová largohen nga Parisi, përveç një shfaqjeje të madhe sportive, edhe me 1.1 milion Euro më tepër në xhep.