AlbanianSport.com 31/05/2019 15:55
ASNN – Ka ndryshime në listën e Kombëtares për dy ndeshjet zyrtare ndaj Islandës në fushë të huaj më 8 qershor 2019, dhe Moldavisë, në Stadiumin “Elbasan Arena”, më 11 qershor 2019, duke nisur nga ora 20:45.
Egzon Binaku është dëmtuar në ekipin e tij IFK Norrkoping në ligën suedeze dhe në këto kushte e ka të pamundur të bashkohet me kuqezinjtë. Po ashtu mesfushori Ledian Memushaj i grumbulluar me përfaqësuesen në kompleksin “Tropikal” ka shfaqur probleme fizike duke e bërë të pamundur rikuperimin në kohë për dy përballjet.
Një tjetër futbollist që do të mungojë është edhe Marash Kumbulla, i cili për shkak të angazhimit me klubin e tij, Hellas Verona në Itali do të bashkohet me Nën-21-vjeçarët më datë 3 qershor për vizitën e kuqezinjve të rinj në Turqi.
Në fakt, ajo që të bën përshtypje është se vijon sindroma e thirrjes në Kombëtare e futbollistëve që janë të dëmtuar, apo që kanë pësuar një dëmtim më parë dhe nuk priten të jenë në kapacitetin e tyre të plotë fizik.