AlbanianSport.com 30/05/2019 20:15
ASNN – Ish-presidenti i FIFA-s, Sep Blater do të hedhë në gjyq pasardhësin e tij, Xhani Infantino dhe vetë FIFA-n. Ai kundërshton akuzën se pas Botërorit në 2014, ai mori një shpërblim shtesë prej 10.5 milionë Euro. Blateri u detyrua të japë dorëheqjen në vitin 2015 pas skandalit më të madh të korrupsionit, ku u përfshinë dhe anëtarë të komitetit drejtues. Një javë përpara Kongresit të 69-të të FIFA-s në Paris, ku Infantino do të rizgjidhet, Blateri godet “mungesën e transparencës” të pasardhësit të tij.
Kështu, ish-kreu i organizmit që qeveris futbollin botëror, Sep Blater ka njoftuar në një intervistë për Agjencinë Franceze të Lajmeve “AFP”, se do të paraqesë një padi kundër pasardhësit të tij, Xhani Infantino dhe FIFA-s, deri në fund të muajit. “Kam edhe një takim me avokatët e mi për të përgatitur ankesën që do të paraqitet deri në fund të këtij muaji në Zyrih, kundër Xhani Infantinos dhe Fifa, – tha Blateri për “AFP”-në. – Është pak e ndërlikuar sepse është civile dhe penale.”
“Ankesa fillon me nr. 1, për dëmin moral që më është bërë nga FIFA, duke botuar shifra që nuk korrespondojnë me atë që ka qenë e shkruar në fillim në arkivat e saj, gjë të cilën nuk e korrigjoi, pavarësisht kërkesave nga avokatët e mi, duke përfshirë edhe shpërblimin e Botërorit 2014 (në Brazil) që unë nuk e kam marrë kurrë”, shpjegoi ish-kreu i futbollit botëror. 83-vjeçari u detyrua të japë dorëheqjen në vitin 2015 pas skandalit më të madh të korrupsionit në historinë e futbollit.
Blateri kundërshton akuzën se, pas Botërorit 2014, ai mori një shpërblim prej 12 milionë franga zvicerane (rreth 10.5 milionë euro). “Dua të bëj drejtësi, ose FIFA ta bëjë atë sa më parë, se informacioni i dhënë ishte i gabuar. Kjo gjë u bë fillimisht nga Komiteti i Financave dhe më pas nga Komiteti Ekzekutiv, pastaj nga Komisioni i Kontrollit dhe Përputhshmërisë, që këtu del se unë kam një ndërgjegje të pastër” – shtoi ai. – Unë dua që njerëzit të kuptojnë se në këtë rast unë dhe familja ime kemi qenë të dëmtuar.
“Është një çështje nderi”, – këmbënguli Blateri. Dhe kjo kërkesë e Blaterit vjen një javë përpara kongresit të FIFA-s, që do të zhvillohet në Paris më 5 qershor, ku pasuesi i tij Xhani Infantino, i vetmi kandidat, duhet të rizgjidhet për një mandat të dytë.