AlbanianSport.com 30/05/2019 19:20
ASNN – Ndryshon formula e Kategorisë së Parë. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Shulku, ka paraqitur risitë. Klubet do të reflektojnë. Federata Shqiptare e Futbollit kërkon të bëjë ndryshime në strukturën dhe formulën e Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Të enjten, kanë nisur konsultimet me përfaqësuesit e klubeve pjesëmarrëse në këtë kategori, për ndryshimet që mund të ndodhin në 4 sezonet e ardhshme, përgjatë periudhës 2019-2023.
Sekretari Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, së bashku me Shefin e Sektorit të Garave, Lysien Nurishmi, kanë paraqitur strukturën e re: Ndarja me 10 skuadra në dy grupe. 4 të parat luajnë për ngjitjen në Superiore dhe 6 te dytat për qëndrimin në Kategorinë e Parë. Dy skuadra bien direkt nga kategoria dhe e treta luan në “play-off” për qëndrimin. Dy drejtuesit e FSHF, kërkuan nga klubet mendime në lidhje me formulën e re të Kategorisë së Parë.
Sipas tyre kjo bën që gara të jetë sa më e fortë dhe më konkurruese deri në javën e fundit të sezonit. Në të njëjtën kohë, skema e re synon që të nxisë klubet të përafrojnë standardet infrastrukturore, financiare dhe ato të administratës, me klubet e Kategorisë Superiore. Drejtuesit e klubeve kanë shfaqur mendimet e veta për risitë. Sekretari Shulku dëgjoi me kujdes sugjerimet e klubeve, dhe i informoi ata se, disa opsione që janë përgatitur nga FSHF, do t’u dërgohen klubeve për konsultim dhe për të sjellë sugjerimet e tyre.
Në javët e ardhshme do të zhvillohen takime të tjera për të arritur në një propozim final që do të dërgohet në Komitetin Ekzekutiv për miratim.