AlbanianSport.com 29/05/2019 23:15
ASNN – Blutë ngadhënjejnë bindshëm, 4-1, në derbin londinez të kontinentit në finalen e Bakusë. Çellsi ka triumfuar të mërkurën në mbrëmje në finale ndaj Arsenalit, duke u shpallur kështu fituese e këtij edicioni të Ligës së Evropës. Blutë kanë fituar 4-1 në derbin londinez të kontinentit, që, sikundër i gjithë ky sezon i veprimtarisë së dytë të klubeve të Evropës, u soll drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Futbolli kontinental ka dhënë të mërkurën në mbrëmje trofeun e tij të parë madhor të këtij sezoni të klubeve, pasi Çellsi ka triumfuar në finale ndaj Arsenalit, duke u shpallur kështu fituese e këtij edicioni të Ligës së Evropës. Në fakt, ndeshja e luajtur në Stadiumin Olimpik të kryeqytetit të Azerbajxhanit, Baku, dhe e sjellë për sportdashësit, sikundër i gjithë ky sezon i veprimtarisë së dytë të klubeve të Evropës, drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka parë një pjesë të parë të barazpeshuar.
Arsenali ka bërë një vëllim më të madh loje, duke e detyruar shpesh Çellsin të mbyllej në gjysmëfushën e vet dhe duke e goditur rrezikshëm edhe portën e bluve. Në krahun tjetër, Çellsi ka qenë më i rrezikshëm në daljet në kundërsulm dhe Arsenali i është falur në dy raste instinkteve të portierit Petr Çeh për të mbajtur të paprekur rrjetën. Kështu, me rrjeta të paprekura do të mbyllet pjesa e parë, por e dyta është krejt tjetër histori.
Sepse blutë e trajneri Mauricio Sarri do të gjejnë 3 gola brenda 20 minutave të para, fillimisht në minutën e 28-të, me anë të ish-lojtarit të Arsenalit, Oliver Zhiru. Në minutën e 60-të, Pedro do të dyfishojë epërsinë për Çellsin, me një ekzekutim të saktë brenda zonës. Vetëm 4 minuta më pas, blutë do të fitojnë një 11-metërsh, që do të shndërrohet në gol nga Eden Hazardi.
Arsenali do të ndezë një rreze shprese, duke gjetur një gol me anë të Iuobit në minutën e 69-të. Një rreze shprese që sidoqoftë do të fashitet shpejt, pasi vetëm 3 minuta më pas, Hazardi do të shënojë edhe golin e 4-t për Çellsin dhe të dytin personal në këtë takim. 18 minutat e fundit e fundit të ndeshjes janë karakterizuar nga një lojë e hapur, me raste nga të dyja skuadrat por pa dhuruar dot gola të tjerë dhe Çellsi mposht Arsenalin 4-1 dhe fiton trofeun e Ligës së Evropës.