AlbanianSport.com 28/05/2019 18:20
ASNN – Në kuadër të projekteve që Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka për përmirësimin e infrastrukturës, është edhe ndërtimi i një stadiumi të ri në qytetin e Fierit. Për këtë qëllim, Presidenti i organizmit që qeveris futbollin në vend, Armand Duka, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, dhe Presidentin e klubit Apolonia, Koço Kokëdhima.
Në këtë takim është rënë dakort që të nisë puna për projektimin e një stadiumi të ri me kapacitet 6,000-8000 vende, në të cilin FSHF ka marrë përsipër 1/3 e investimit, me pjesën tjetër që do të duhet të investohet nga Qeveria dhe Bashkia Fier. Shumë shpejt pritet të filloj puna dhe për ndërtimin e stadiumit të ri në Kukës, në të cilën Federata Shqiptare e Futbollit ka një rol të madh si investitori kryesor.
Federata Shqiptare e Futbollit, prej vitesh po investon për përmirësimin e infrastrukturës sportive në Shqipëri. Shuma të mëdha janë investuar për ndërtimin e stadiumeve të rinj, ndërrimin e tapeteve në impiantet ekzistuese, vendosjen e sistemeve të ndriçimit si edhe ndërtimin e fushave stërvitore për disa klube.