AlbanianSport.com 27/05/2019 17:35
ASNN – Zyrtarizohet pjesëmarrja në Lojërat e Dyta Olimpike Evropiane, më shumë sesa Shqipëria. Nga data 21, deri më 30 qershor 2019, në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, do të mbahet edicioni i dytë i Lojërave Olimpike Evropiane. Dhe ka shkuar në 12 numri i sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në këto Lojëra, ndërsa ky numër ka gjasa të jetë më i lartë sesa ai që Shqipëria do të çojë në Minsk.
Kështu, ka shkuar në 12 numri i sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat e dyta Evropiane Minsk 2019, që mbahen prej 21-30 qershor në kryeqytetin e Bjellorusisë. Ditët e fundit janë konfirmuar edhe tre boksierët: Shpëtim Bajoku, i kategorisë së peshës trupore deri në 64 kilogramë, Patriot Behrami, i kategorisë së peshës trupore deri në 69 kg dhe Ardit Delijaj i kategorisë së peshës trupore deri në 81 kg.
Konfirmimi për boksierët ka ardhur pasi Unioni Evropian i Boksit (EUBC) ka vendosur që garat e boksit në Minsk 2019 të vlejnë si kampionat evropian, njësoj si disa sporte tjera. Nga sporti i boksit është edhe Donjeta Sadiku, e konfirmuar muaj më parë me ftesë. Më shumë sportistë nga Kosova në Minsk do të ketë xhudoja, gjithsej 5 e më konkretisht Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka e Akil Gjakova, të cilët janë kualifikuar me normë.
Ndërsa me ftesë janë edhe Alvin Karaqi (karate), Fatih Karabaxhaku (pingpong) dhe Ardita Zejnullahu (harkëtari). Dy normat e konfirmuara nga organizatori për sportin e mundjes, nuk do të marrin pjesë pasi Drilon Syla është i lënduar, ndërsa Egzon Shala, nuk është lejuar nga Federata Evropiane e Mundjes, pasi më parë ka përfaqësuar Shqipërinë. Kosova synon të kthehet me medalje, pas të bronztës të fituar në Lojërat Evropiane Baku 2015, me xhudisten Nora Gjakova.