AlbanianSport.com 27/05/2019 12:05
ASNN – Volejbolli është një prej sporteve më të dashur në Shqipëri. Edhe pse me probleme, volejbolli vijon të jetë tërheqës, por cilësia lë për të dëshiruar dhe disa probleme në infrastrukturë dhe menaxhim kanë dëmtuar planet afatgjata të volejbollit shqiptar.
Duke folur për këto probleme, por edhe për anët pozitive e negative të shfaqura në edicionin që sapo është mbyllur, trajneri i përfaqësueses së femrave, Altin Martiri, vë theksin tek disa elementë që duhet të përmirësohen, si pjesë e një politike sportive të shëndetshme.
Ai përmend infrastrukturën, menaxhimin, procesin stërvitor, por edhe tregun si komponentët kryesorë që kërkojnë vëmendjen e instancave. Nuk mungojnë në këtë intervistë mendimet e tij rreth gjendjes së skuadrës kombëtare dhe pritshmërive të saj, prania e lojtareve të huaja dhe ndikimi i tyre, por edhe shembullin që po jep Erblira Bici, e cila po luan në nivele shumë të larta në Evropë.
Kjo është intervista e tij, dhënë të përditshmes shqiptare, Gazetës “SOT”, që AlbanianSport.com po jua sjell në dy pjesë dhe sot është pjesa e dytë dhe e fundit.
… vijon nga dje
– Si e sheh të ardhmen?
– Nuk duhet të ngelemi tek historia. Natyrisht, të gjithë duam që të arrijmë atë që arriti Dinamo e madhe e atyre viteve. Megjithatë, jam optimist dhe mund të them se Partizani do të bëjë surprizën. Partizani i femrave është skuadër e veçantë, por të shohim se si do të paraqitet në vijim.
– Keni 3 vjet në krye të Kombëtares së volejbollit, çfarë duhet të presim nga kjo skuadër, cilat janë projektet tuaja në vazhdim?
– Unë nuk jam i përjetshëm në krye të Kombëtares Shqiptare të Volejbollit, madje dua ndryshime, sepse është një cikël i mbyllur. Mendoj se me përfaqësuesen kulmin e arritëm në Ligën e Evropës. Sidoqoftë, mund të them se po riorganizohemi, kemi afruar vajza të reja që janë të motivuara dhe do të mundohem të bëjë ripërtëritje, por nga të rejat që grumbulluam vjet ka pasur edhe dëmtime, si Rexhepi etj.
– Dy fjalë për Erblira Bicin, ajo po shkruan histori me skuadrën e saj në volejbollin italian. A është ajo modeli i duhur i volejbollit shqiptar, një model frymëzues për të rejat që e duan këtë sport?
– I uroj vetëm suksese! Ndonjëherë keqinterpretohesh, por realisht nuk ka më lart se niveli i Ligës së Kampioneve, për më tepër finalja e kësaj veprimtarie. Me sa di unë asnjë sportist tjetër shqiptar në sportet kolektive nuk kishte arritur në finalen e një veprimtarie të tillë, plus që ka fituar Kupën e Italisë. Edhe media duhet të bëjë më shumë për të promovuar modele të tilla nga sporti shqiptar. Është Bici në volejboll, Hysaj në futboll, etj, pra modele të spikatur suksesi që shërbejnë si frymëzim për të rinjtë. Madje modeli sportiv është më i miri. Unë mund t’u kujtoj këtu se Erblira Bici erdhi nga Gramshi në Tiranë, dhe nga Tirana kaloi në Itali. Një model suksesi mjaft domethënës, i ndërtuar me djersë dhe talent.
– Një tjetër çështje që ia vlen të diskutohet është ajo që ka të bëjë me tekniko-taktikën, por edhe përgatitjen fizike. Si qëndrojnë këta elementë në volejbollin tonë? Si paraqitet gjendja e kuadrit teknik në përgjithësi?
– Unë për këtë pyetje kam një përgjigje të përmbledhur, e cila merr në konsideratë disa elementë që bëhen pengesë për një sport cilësor dhe konkurrues. Së pari, Shqipëria nuk ka infrastrukturë të mirëfilltë sportive. Siç e dini edhe ju, infrastruktura jonë sportive lë për të dëshiruar. Fëmijët dhe të rinjtë e të rejat nuk futen në ambiente që kanë lagështi, ku ka ndryshime temperaturash ekstreme dhe kushtet infrastrukturore në tërësi bëhen pengesë për të pasur një volejboll cilësor. Së dyti, sot stërvitemi shumë pak dhe sipas një studimi që ka realizuar Universiteti i Sporteve të Tiranës, në Shqipëri zhvillohen 800 orë stërvitje në vit, ndërkohë që profesionistët në Evropë e kanë këtë tregues 2,000 orë në vit. Edhe ky element është domethënës për diferencat që krijohen, pasi volejbollit shqiptar i duhen më shumë orë stërvitje për të qenë konkurrues dhe më cilësor edhe në kampionatin e tij. Së treti, ne nuk kemi treg. Një fëmijë këtu vjen të ushtrojë volejbollin për argëtim dhe jo si profesion. Dhe ai, pavarësisht pasionit, largohet në një moshë të caktuar, pasi nuk e gjen veten të plotësuar në sport, sepse ai nuk përfiton mjaftueshëm. Duke pasur rroga mizerabël, ai nuk motivohet për të ndërtuar një karrierë sportive profesioniste. Çfarë duhet të kuptojmë me këtë? Pagesat janë një element i rëndësishëm, duhen rritur medoemos që të sjellin motivim për sportistët cilësorë. Nga studimet tona, rezulton që të rinjtë luajnë deri në 18 vjeç dhe më pas largohen, dikush në shkollë, një tjetër jashtë vendit, një tjetër në punë etj, duke e ndërprerë sportin dhe hedhur pas krahëve mundin e derdhur deri në atë moment. Çfarë kërkohet? Na duhen modelet, të cilat futbolli i ka më shumë. Në futboll prindërit investojnë për fëmijën, duhet që edhe në volejboll të ndërtojmë modele suksesi. Këtu hyn në lojë politika sportive e një vendi, e cila ndihmon me mekanizmat e saj t’i japë impulse zhvillimi sportit në tërësi.
– A ka talente Shqipëria dhe si e shihni të ardhmen e volejbollit tonë?
– Shqipëria është vendi i volejbollisteve. Ka shumë vajza të talentuara, por duhen politika sportive, që sporti të bëhet pjesë e kënaqësisë shpirtërore dhe Shqipëria të ballafaqohet në veprimtaritë ndërkombëtare me dinjitet.
Kush është Altin Martiri?
Datëlindja : 19.04.1971
Vendlindja : Tiranë
Punon : Pedagog pranë Universitetit të Sporteve, jep lëndën “Volejbolli”
Karriera : 6 herë “kampion kombëtar” si sportist me Dinamon dhe Studentin, 5 herë fitues i Kupës së Republikës me Partizanin dhe Studentin.
Si trajner : “Kampion” me Studentin, fitues i Kupës dhe i Superkupës me Studentin, të gjitha në vitin 2005. Ka drejtuar, gjithashtu, skuadrën e Rrëshenit (Mirdita) dy vjet.
Drejton prej vitit 2016 skuadrën kombëtare