AlbanianSport.com 26/05/2019 22:05
ASNN – Luhet java e 35-të e Superiores, Kastrioti fiton me Teutën, por rrezikon rënien. Në atë që ishte padyshim ndeshja më e rëndësishme e javës së 35-të të Kategorisë Superiore, Tirana ka marrë një fitore 3-1 në Laç ndaj skuadrës vendase. Kryeqytetasit kanë hedhur kështu një hap drejt sigurimit të qëndrimit në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar për sezonin e ardhshëm.
Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të dielën ndeshjet e javës saj të 35-të, që është edhe java e parafundit e këtij sezoni. Dhe në atë që ishte padyshim ndeshja më e rëndësishme, Tirana ka marrë një fitore 3-1 në Laç ndaj skuadrës vendase, duke hedhur një hap drejt sigurimit të qëndrimit në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar për sezonin e ardhshëm.
Fitorja e kryeqytetasve në Kurbin e ka bërë të pavlefshme atë 2-1 që Kastrioti arriti në fushën e vet ndaj Teutës. Tirana do të sigurojë matematikisht mbijetesën edhe nëse ndalet në një barazim në ndeshjen e javës së fundit në shtëpi me Flamurtarin, edhe nëse krutanët e fitojnë përballjen e fundit me Kukësin, për shkak të bilancit më pozitiv në duelet e drejtpërdrejta.
Ndërkaq, në takimet e tjera, Partizani e ka shmangur humbjen përballë Kukësit në ditën e kurorëzimit si “kampion” i Shqipërisë, duke marrë një barazim 1-1 me verilindorët, që sidoqoftë ende nuk e kanë të sigurt vendin e dytë, ku ndodhen në kuotën e 56 pikëve. Dy pikë më prapa është Flamurtari, që i ka marrë në tavolinë 3 pikët me Kamzën e përjashtuar, dhe Teuta, ndërsa shpresa për Evropën ka edhe Skënderbeu, që mundi 2-0 në Korçë Luftëtarin dhe ndeshjen e fundit i ka të sigurta 3 pikët me Kamzën.