AlbanianSport.com 23.09.2014 23:30
ASNN – Mjediset e stadiumit “Besëlidhja” është rregulluar sipas të gjitha kritereve të kërkuara sot nga Federata Shqiptare e Futbollit. Dhe për këtë duket se gjithçka është meritë e presidentit Gjokë Ndoka, i cili për ta bërë sa më mirë dhe sa më gati stadiumin është duke bashkëpunuar më së miri me Federatën Shqiptare të Futbollit. Janë instaluar të gjitha kamerat e sigurisë në stadium dhe të gjithë në Lezhë janë në pritje të fillimit të kampionatit.
Dihet që të shtunën Besëlidhja do të përballet me Burrelin në Lezhë, ndërsa ekipi, së bashku me stafin teknik, është duke u përgatitur që ta nisë sa më mirë sezonin e ri. Janë marrë të gjitha masat që ndeshja e parë e kampionatit të zhvillohet në të gjitha kushtet sa më optimale. Dje Besëlidhja ka bërë vrapime rreth fushës, ndërsa për shkak të shiut, edhe për ta ruajtur terrenin për ndeshjen e parë të kampionatit, kanë punuar në stërvitje.
Ndërkohë për gazetat sportive të ditës, futbollisti Adi Mehja do të deklaronte: “Ne jemi të përgatitur në të gjitha drejtimet. Gëzojmë një formë të mirë sportive, ndërsa grupi i formuar është një kolektiv i mirë. Jo vetëm kaq, por është një grup simpatik dhe jemi duke menduar për ndeshjen me Burrelin. Është një kundërshtar i fortë dhe me përvojë në Kategorinë e Parë. Besoj se do ta nxjerrim me fitore këtë ndeshje, kjo dhe për hir të tifozërisë sonë, e cila pret shumë prej nesh.”
“Një fitore do të jetë motiv për ndeshjet e tjera, ndërsa falënderojmë presidentin Ndoka për gjithçka që ka dhënë”, – ka përfunduar Mehja.