AlbanianSport.com 24/05/2019 21:10
ASNN – Rrethi i 76-të Çiklistik i Shqipërisë, i cili është i 3-ti si pjesë e kalendarit ndërkombëtar dhe ku kanë garuar rreth 80 çiklistë nga 11 ekipe të vendeve të ndryshme, si Italia, Holanda, Belgjika, Austria, Greqia, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Kosova, etj, është mbyllur sot me etapën e 5-të të tij, atë Sarandë-Fier, e gjatë 162.5 km.
Shqipëria, e drejtuar nga trajneri Dashamir Rama, u përfaqësua në këtë tur me 7 çiklistë: Eugert Zhupa, Ylber Sefa, Besmir Banushi, Klidi Jaku, Olsion Velia, Bruno Kola dhe Astrit Kronaj. Etapa e fundit është fituar nga çiklisti kuqezi, Eugert Zhupa, i cili ka lënë pas dy italianët Sartori dhe Bertone, duke e përfunduar në mënyrën më të mirë këtë event për “dyrrotakët” e Shqipërisë.
Zhupa regjistroi kohën 4 orë 22 minuta e 15 sekonda. Ndërkohë, ai që triumfon në Turin e 76-të të Shqipërisë është Filipo Fioreli. Italiani i skuadrës “Gragnano Sporting Club”, i cili i përshkroi 892,8 km me kohën e përgjithshme 20 orë, 30 minuta e 44 sekonda. Ai ka lënë pas në vendin e dytë me një diferencë prej 7 sekondash holandezin Etien Van Empel e me 9 sekonda austriakun Sebastian Shënberger.
Nga kuqezinjtë rezultatin më të lartë e arriti Ylber Sefa, i cili e përfundoi Rrethin Çiklistik në vendin e 10-të, me +5:14 nga kreu. Madje, Sefa arriti ta mbante fanellën e verdhë të kryesuesit në 3 garat e para.
Kështu, veprimtaria më e rëndësishme e çiklizmit në Shqipëri mbyllet me këto verdikte: Fanella e Bardhë (për të rinj) shkon për Nikolas Rinaldin, Fanella e Kuqe (malore) shkon për Sebastian Shonberger, Fanella Jeshile (fushore) dhe Fanella e Verdhë (e liderit) shkojnë për Filipo Fiorelin. Ndërsa për sa u përket skuadrave, janë italianët e “Neri Sottoli Selle KTM” ata që triumfojnë, me kohën totale 60:41:57. Shqipëria renditet e 5-ta me kohën 61:11:10.