AlbanianSport.com 24/05/2019 14:45
ASNN – Kampionati Botëror “Katar 2022” do të diskutohet mes 32 skuadrave. Është ky vendimi më i fundit i organizmit më të lartë të futbollit botëror, FIFA, e cila ka pohuar se as edicioni i radhës i Botërorit nuk do të pësojë ndryshime. Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino kishte synuar ta rriste numrin e pjesëmarrëseve me 16 skuadra, por kjo nuk do të ndodhë.
FIFA është detyruar të pranojë se, për shkak të kohës së kufizuar, zgjerimi i garës në një kohë kaq të shkurtër do të ishte shumë e vështirë. Kjo pasi turneu i vitit 2022 do të mbahet vetëm në Katar, vendin ku ishte parashikuar edhe më parë. Nëse do të kishte ndryshime, pra që veprimtaria të zhvillohej me 48 skuadra, zhvillimi i takimeve do të ishte shtrirë edhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme.
Megjithatë, siç është vendosur më parë, numri i ekipeve do të rritet në 48 duke filluar nga viti 2026. Një gjë tillë kishte rritur shpresat edhe për Shqipërinë, e cila nuk e fsheh dëshirën dhe ambicjen për marrjen pjesë për të parën herë në festivalin më të rëndësishëm të futbollit botëror.