Gjergj Vyshka 30.11.2014 11:55
Flamurtari në futbollin e sallës, “kampion” në fuqi i Shqipërisë, është fitues i Kupës Mbarëkombëtare, që të premten në mbrëmje është luajtur në Pejë të Kosovës. Pikërisht vlonjatët e Mario Kalus, pavarësisht se kanë pasur përballë vendësit e Besës së Pejës, të cilët në Pallatin e Sportit “Karagaçi” janë mbështetur nga fansat e tyre të zjarrtë, Flamurtari ka ditur të fitojë 5-2 dhe të bëjë të vetën Kupën Mbarëkombëtare.
Një aktivitet që është bërë i përvitshëm, ndërsa kjo është hera e dytë që një klub shqiptar e fiton, kur më parë më 2010-ën e ka fituar Tirana. Ndërkaq, KS “Ali Demi” ka qenë pjesëmarrës në Kupën e Pavarësisë në Kumanovë të Maqedonisë. Në ndeshjen e parë është mundur 2-8 nga Liburni i Gjakovës, kurse në të dytën ka barazuar 7-7 me Tërnocin e më pas ka humbur me penallti 1-1.
Në këtë pjesëmarrje të KS “Ali Demit” ka rënë në sy dhe paraqitja e mirë e Enea Kadiut. Por ndërsa klubet kanë bërë këto aktivitete miqësore, ajo që nuk dihet ende me saktësi është se kur do të nisë kampionati kombëtar i sezonit futbollistik 2014-2015.