AlbanianSport.com 30.11.2014 11:15
ASNN – Verdhejeshilët e Banos, pas kësaj fitoreje, tashmë janë kandidat potencial për Superiore. Stadiumi “Skënderbeu” duket se nuk i ka bërë mirë ekipit të Gentian Stojkut.
Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Sopotit, deklaroi: “Me thënë të drejtën nuk jam shprehur ndonjëherë që do të vazhdojmë deri në fund të kampionatit pa asnjë humbje. Çdo ndeshje futbolli i ka të gjitha rezultatet. Nuk kemi qenë në ditën më të mirë dhe ja ku erdhi edhe kjo humbje.”
“Dua të them që kemi bërë një pjesë të parë shumë të dobët dhe jam shumë i pakënaqur nga ekipi, – ka vijuar Stojku. – Ndërsa në pjesën e dytë erdhi kthesa jonë në lojë. Reaguam, por kundërshtari u mbrojt mjaft mirë dhe arritëm të bënim vetëm një gol. Absolutisht si tip nuk dorëzohem. Kemi ndeshjen e radhës dhe do të mundohemi që të reagojmë mirë. Futbolli ky është. I uroj suksese Lushnjës.” Ndërsa homologu i tij, trajneri i Lushnjës, Artan Bano, e cilësoi këtë një fitore me shumë vlera.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë që kishte shumë vlera për ne, por edhe për mbarëvajtjen tonë deri në fund të dhjetorit, – ka deklaruar kreu i pankinës lushnjare. – Mendoj që kemi marrë një 3-pikësh me shumë vlera, që erdhi në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ky trepikësh i marrë nuk do të thotë që kemi arritur objektivin. Objektivi realizohet kur të marrim 65% të pikëve në kampionat dhe kur matematikisht kundërshtarët janë të dorëzuar.”
“Ne kemi një grup shumë të vështirë kur vendi i katërt mund të shkojë i pari për dy ndeshje. Ne po bëjmë punën tonë dhe do të shikojmë çdo gjë hap pas hapi, apo javë pas jave dhe më pas të merremi me kundërshtarët”, – ka përfunduar trajneri i Lushnjës, Artan Bano.