AlbanianSport.com 20/05/2019 20:10
ASNN – Në La Mansh nuk kanë mbetur të kënaqur të gjithë pilotët. Kështu, Andrea Doviciozo, edhe pse u rendit i dyti, pranon se “Honda” dhe Mark Markezi janë një hap para tyre. Edhe Valentino Rosi, i 5-ti, nuk është i kënaqur me atë çka jep motori i tij “Jamaha”. Andrea Doviciozo i gëzohet vendit të dytë të arritur në La Mansh, por pranon se të mposhtësh Markezin duhet ende punë për të bërë.
“Kemi bërë një garë të bukur, por Marku dhe “Honda” janë ende pak më të fortë se ne -ka pohuar piloti italian i “Dukati”-it. – Duhet të kuptojmë se çfarë mund të përmirësojmë diçka dhe të bëjmë një hap para për të luftuar për titulllin botëror së bashku me të.” E këtë duhet ta bëjnë që nga gara e ardhshme në Muxhelo. Ndërsa për Markezin, duket se gjithçka po shkon shumë mirë.
“Në xhirot e para të garës nuk isha mirë, por më pas gjithçka shkoi mirë me motorin, – tha spanjolli. – Filloi të jepte xhiro më të shpejta njësoj si në Herez, pa e ekzagjeruar. Këtë vit ndjehem shumë më mirë me motorin. Sigurisht që do të vijnë gara më të vështira, por në këtë moment gjithçka po shkon në rrugën e duhur”, – ka përfunduar piloti i “Hondës”.
Valentino Rosi e ka mbyllur në vendin e 5-të Çmimin e Madh të Francës, por nuk është aspak i kënaqur me paraqitjen e “Jamaha”-s së tij. “Ishim më mirë se në Herez, – ka thënë veterani. – U nisa mirë dhe, në përgjithësi, motori e ruajti ritmin me kundërshtarët. Por, “Dukati” dhe “Honda” janë një hap para nesh. Na duhet punë për t’u përmirësuar e për t’i arritur ata.”
“Sidoqoftë, në Muxhelo, para tifozëve të mi, do të provoj të jem më i fortë”, – ka përfunduar piloti italian i “Jamaha”-s, Valentino Rosi.