AlbanianSport.com 18/05/2019 22:00
ASNN – Në përpjekje për të qenë sa më afër teleshikuesve shqiptarë, veçmas sportdashësve, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH) do të sjellë ekskluzivisht disa veprimtari të rëndësishme. Kështu, RTSH ka siguruar të drejtën televizive për Evropianin e Nën-21-vjeçarëve në futboll, që do të zhvillohet nga data 16, deri më 30 qershor 2019 në Itali.
Ky është një tjetër ekskluzivitet i rëndësishëm veror për RTSH, që nëpërmjet kanalit sportiv RTSH SPORT, por edhe aplikacionit RTSH TANI do të transmetojë gjithë ndeshjet e kësaj veprimtarie. 12 skuadrat më të mira të Evropës për grupmoshën e Nën-21-vjeçarëve do të diskutojnë mes tyre trofeun më të rëndësishëm kontinental. Ndeshjet do të luhen në Itali, por edhe në San Marino.
Favoritët kryesorë janë përfaqësuesja vendase, Italia, Franca, Gjermania, por edhe Spanja. Ky është edicioni i 25-të i këtij Kampionati Evropian dhe si çdo edicion, 4 skuadrat e para do të kualifikohen për Olimpiadën 2020. Finalja e Evropianit do të luhet më 30 qershor në “Stadio Friuli” të Udines. Ndërkaq, Nga 7 qershori, deri më 7 korrik në RTSH Sport vjen Kampionati Botëror i Futbollit të Femrave “Francë 2019”.
Po ekskluzivisht në RTSH Sport, nga data 26 maj deri në 9 qershor, vjen turneu më i famshëm i tenisit në dhė të kuq “Roland Garros”.