Nderim Goci (Krujë) 30.11.2014 09:55
ASNN – Ndeshja e zhvilluar dje pasdite në stadiumin e qytetit të Krujës, mes vendasve të Kastriotit dhe Veleçikut ka përfunduar me rezultatin e barabartë 1-1. Një rezultat krejt i papritur për vendasit të cilët për hir të realitetit, prisnin fitoren. Por rezultati i arritur në përfundim të ndeshjes dëshmoi të kundërtën e psikozës së krijuar para fillimit të ndeshjes. Takimi nis mjaft mirë për vendasit, të cilët hidhen menjëherë në kërkim të golit të parë. Pas disa minutash këmbënguljeje, në të 12-tën, Bakiu shënon golin e epërsisë.
Fillimisht ka qenë një gjuajtje e Kulit në hyrje të zonës, topi përplaset te porteri mik dhe Bakiu, i ndodhur në afërsi të portës, shënon për skuadrën e tij. Nisur nga goli i shënuar dha përshtypjen se ndeshja do të kishte goleadë. Por nuk ka ndodhur kështu. Megjithë presionin e ushtruar nga ana e vendasve e shoqëruar me raste të pastra për gol, pjesa e parë mbyllet me rezultatin e ngushtë 1-0. Për miqtë në fraksionin e parë të ndeshjes, vlen për të përmendur goditja e Djepaxhisë në minutën e 26-të, një goditja nga një distancë e largët, por topi qeth shtyllën horizontale.
Dhe pjesa e dytë ka të njëjtën pamje me të parën. Vendasit janë në kërkim të golit të dytë, por, kur pritej shënimi i golit të formacionit të Alcanit, miqtë kanë suprizuar, duke baraspeshuar shifrat e ndeshjes. Në minutën e 54-t, Djepaxhia ka shfrytëzuar një pasiguri të mbrojtjes vendase, shto dhe daljen e gabuar e portierit krutan, dhe godet saktë e barazon shifrat e ndeshjes në 1-1. Shënimi i golit të barazimit i motivon më shumë vendasit për të gjetur golin e dytë. Megjithë rastet e krijuara, me anë të Bakiut, Bytyçit dhe Gurit, rezultati mbeti pa ndryshuar.
Të rreshtuar me forca të shuma në mbrojtje, miqtë nga Kopliku e kanë ruajtur deri në fund barazimin e arritur. Me këtë rezultat, vendasit hedhin një hap të gabuar, ndërsa miqtë marrin një pikë të artë, duke u fiksuar në vendin e 4-t të renditjes. Për formacionin e trajnerit Alert Alcani, ndeshjet në vazhdim konsiderohen mjaft të vështira, pasi do të ketë tre përballje jashtë fushës së vet, duke filluar me javën e ardhshme në Pukë ndaj Tërbunit.
Kastrioti – Veleçiku 1-1
Shënues: Bakiu 12’ / Djepaxhia 54’
Kastrioti: Selaci, Caca, Kule, Hoxha, N.Roshi ( Zela 42’),Bytyci, K. Roshi,Kehinde, Bakiu ( Neziri 85’), Tali (Guri 19’), Pengili.
Trajner: A. Alcani
Veleciku: Hallunaj, Nikshiqi ( Borshi 41’), Hotaj, Osmani, Drobeja, Banushaj( Shkëmbi 90’), O. Pepaj ( Mustafa 56’),Hetaj, Kurtaj, V. Pepaj. Djepaxhia
Trajner: B. Dule
Gjyqtarë: A. Gjeci, F. Mata, E. Shehu ( Tiranë)
Kartona te verdhë: K. Roshi, Bytyci, Pengili, Borshi, Gotja, Caca