AlbanianSport.com 16/05/2019 20:10
ASNN – Presidenti i Lionit, Olas, beson se edhe femrat do arrijnë suksesin e meshkujve në Botëror. “Franca mund ta fitojë Botërorin e futbollit të femrave.” Kështu është shprehur Presidenti i klubit të Lionit, Zhan-Mishel Olas, që ka edhe një skuadër të spikatur të topkpmbës së vajzave. “Ne do të jemi në qendër të vëmendjes së të gjithë botës”, – ka thënë ai.
“Sfida për futbollin e femrave dhe ekuilibri i saj ekonomik do të ishte që kombëtarja jonë të arrijë të hyjë të paktën deri në gjysmëfinalet e Botërorit, – ka vijuar Olasi. – Franca është “kampione e botës” për meshkuj dhe do të ishte historike nëse edhe femrat do të arrinin të njëjtën gjë. Jam i bindur se nëse do të kalojnë gjysmëfinalen do të fitojnë trofeun.”
Stadiumi i Lionit do të presë gjysmëfinalet dhe finalen e turneut këtë verë, gjë që do të jetë një favor i madh ekonomik për të. “Besoj se do të jetë një sukses i jashtëzakonshëm, – ka theksuar presidenti i klubit francez. – Stadiumet më të mëdha i kanë shitur thuajse të gjitha biletat. Deri tani kemi 17.000 rezervime nga Amerika, nga 59,000 bileta që janë në shitje për secilën prej 3 ndeshjeve që do të luhen në stadiumin tonë.”
“Edhe televizionet kanë siguruar të drejta transmetimi, disi më modeste se sa ndeshjet e meshkujve. Të ardhurat që do të vijnë nga reklamat, janë llogaritur që do të jenë barabarta me Euro 2016” – ka përfunduar Presidenti i klubit të Lionit, Zhan-Mishel Olas.