AlbanianSport.com 15/05/2019 21:05
ASNN – Në volejbollin e femrave mori para pak javësh zgjidhje dilema e fituesit, pasi Partizani fitoi edhe finale e 3-të me Tiranën, duke e mposhtur 3-2 dhe duke siguruar trofeun më të rëndësishëm sezonal. Ishte padyshim një sukses i rëndësishëm për vajzat e skuadrës së kuqe dhe trajnerin Roland Tarja, të cilët thyejnë hegjemoninë e viteve të fundit të Barleti Volej që kishte fituar 4 tituj radhazi.
Por kur trofeu ka shkuar në klubin e kuq, ia vlen të kujtohet se diferencën skuadra e trajnerit Roland Tarja e bëri me një volejbolliste të nivelit të lartë si kubanezja, Maso Kasalis, një volejbolliste profesioniste, e gjatë dhe e përgatitur, që u shndërrua në pikën më të fortë të Partizanit në pjesën e dytë të sezonit. Ishin pikërisht finalizimet e saj të sakta dhe të papërmbajtshme që sollën diferencën në favor të Partizanit.
Dhe për pasojë edhe fitimin e titullit. Këtë gjë skuadra e kuqe e tregoi falë Kasalis që në duelin çerekfinal me Vllazninë, pastaj në gjysmëfinale me Mirditën dhe në fund në 3 ndeshjet finale me Tiranën, duke dëshmuar superioritet. Nuk është vetëm kampionati, por edhe Kupa e Shqipërisë, të cilën Partizani e fitoi kohë më parë dhe pikërisht falë një diference që bëri volejbollistja kubaneze Kasalis.
Ishte një arritje e dyfishtë për skuadrën e kuqe dhe trajnerin Tarja, që shkruajnë një faqe të madhe suksesi në historinë e klubit dhe në volejbollin e femrave në Shqipëri.