AlbanianSport.com 14/05/2019 17:25
ASNN – Presidenti i FSHB-së i vlerëson dy amerikanet si frymëzim për basketbollistet e reja. Dy ish-basketbollistet e njohura amerikane, Ruthi Bolton dhe Çini Nuogbo, vijojnë vizitën e tyre në Shqipëri, në kuadër të programit të “Diplomacisë Sportive” të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Të martën, ato janë pritur në një takim nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, teksa organizmi që qeveris koshin në vend është edhe partner i programit të vizitës së dy ish-sportisteve të njohura në vendin tonë.
Presidenti Ponari i njohu dy ish-lojtaret e NBA-së së femrave me ecurinë e basketbollit në Shqipëri, ndërsa Boltoni dhe Nuogboja sollën në bisedë përvojën e karrierës së tyre të pasur.
Sipas Ponarit, vizita të tilla janë të dobishme, sidomos për promovimin e basketbollit tek vajzat e reja. Vizita e dy ish-basketbollisteve të njohura amerikane në Shqipëri mbyllet të mërkurën.