AlbanianSport.com 14/05/2019 11:35
ASNN – Holanda do të përballet me Spanjën, ndërsa Franca me Italinë, të dyja ndeshjet, më 16 maj 2019. Kampionati Evropian i Futbollit për grupmoshën e Nën-17-vjeçarëve, një tjetër ekskluzivitet i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, ka mbyllur të hënën fazën çerekfinale të tij, duke përcaktuar edhe dy çiftet gjysmëfinaliste. Dy takimet e para çerekfinaliste u zhvilluan të dielën, duke kualifikuar për më tej Francën dhe Holandën.
Ndërsa dy takimet e tjera u luajtën të hënën dhe Italia ka mundur me një gol të vetëm Portugalinë. Ndërkaq në takimin e fundit, të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar dhe pamje të së cilës na sjell kjo kronikë, Hungaria dhe Spanja kanë patur nevojë për goditjet nga pika e bardhë e 11-metërshave për të përcaktuar skuadrën që shkon më tej, pasi koha e rregullt e kësaj përballjeje u mbyll në barazim 1-1.
Zhordi Eskobar i ka kaluar në epërsi iberikët në minutën e 11-të dhe me këtë epërsi minimale të Spanjës mbyllet pjesa e parë. Por Gergo Ominger rikthen barazpeshën për hungarezët në minutën e 50-të dhe ndeshja nuk do të prodhojë ë gola të tjerë paskëtaj dhe gjithçka do t’i drejtohet lotarisë së goditjeve nga pika e bardhë. Aty ku 17-vjeçarët hungarezë gabojnë në goditjen e 5-të dhe të fundit, duke i dhënë mundësi bashkëmoshatarëve spanjollë të kualifikohen për më tej.
Në gjysmëfinale, që do të luhen të dyja më 16 maj, Holanda do të përballet me Spanjën, ndërsa Franca me Italinë.