AlbanianSport.com 25/04/2019 19:20
ASNN – Shqiptari realizon golin e fitores, por skuadra e tij është drejt rënies nga kategoria. Përkundër asaj që po ndodh në kampionat, ku skuadra e tij mban vendin e fundit në renditje dhe është kandidatja e parë për të rënë nga kategoria, në Kupë e Tuirqisë, skuadra e Sokol Cikalleshit po shpërfill gjasat, duke marshuar deri në fund. Të mërkurën, ka qenë pikërisht goli i shtatlartit shqiptar që i ka siguruar ekipit të tij vendin në këtë finale.
Po rezulton një sezon i jetuar midis dy skajeve ky i Sokol Cikalleshit në futbollin turk. Kjo sepse, përkundër asaj që po ndodh në kampionat, ku skuadra e tij mban vendin e fundit në renditje dhe është kandidatja e parë për të rënë nga kategoria, në Kupë Akhisarspori po shpërfill gjasat, duke marshuar deri në fund. Dhe të mërkurën, skuadra e shqiptarit ka korrur një fitore minimale, por të vyer ndaj Umranijesporit, që i ka mjaftuar për të siguruar vendin në finale.
Dhe ka qenë pikërisht goli i shtatlartit shqiptar që i ka siguruar ekipit të tij vendin në këtë finale. Në fakt, sulmuesi kuqezi ka ruajtur gjakftohtësinë në minutën e 36-të, kur, i pandehur nga të gjithë në pozicion jashtë loje, ai ka bërë detyrën, duke kontrolluar topin dhe duke e përcjellë atë në rrjetë. Përkundër përshtypjes së parë, edhe përsëritjet televizive dhe sistemi i ndihmësgjyqtarit të videos kanë konfirmuar pozicionion e rregullt të shqiptarit dhe vlefshmërinë e golit.
Cikalleshi ka kërkuar të gjejë një tjetër gol më vonë, duke rrezikuar me një goditje nga jashtë zone, por pa e gjetur dot kuadratin e portës kundërshtare. Në pjesën e dytë, ai është bërë gjithashtu pjesë e një episodi të pafat, pasi goditja e një shokut të tij të skuadrës, që i ishte drejtuar portës, ka hasur në trupin e futbollistit shqiptar. Cikalleshi është ndërruar në minutën e 76-të, mes duartrokitjeve të tifozëve, ndërsa duhet theksuar se në kampionat, ku ai ka luajtur 9 ndeshje, 5 si titullar dhe 4 si zëvendësues, ka shënuar vetëm një gol. Ndërsa në Kupë, ku ka luajtur 4 ndeshje si titullar, ka shënuar 3 gola.