AlbanianSport.com 25/04/2019 18:25
ASNN – Fitorja e pabesueshme, por e merituar, e Tiranës ndaj Goga Basket, në gjysmëfinalen e dytë midis tyre në kuadër të “play-off”-it, ka sjellë entuaziazëm në kampin bardheblu, pasi Tirana barazon 1-1 rezultatin e ndeshjeve dhe e shtyn fatin e kualifikimit për në duelin e 3-të me skuadrën private të Durrësit. Në fakt, fitorja 82-75 e Tiranës nuk pritej, nisur dhe nga fakti se Goga Basket ka një skuadër të kompletuar dhe me shumë pretendime.
Por Tirana ia doli dhe fjalët më domethënëse të pas ndeshjes janë ato të liderit të grupit, Gerti Shima, i cili theksoi se skuadrat rivale të Tiranës rritën pretendimet për trofe me blerje lojtarësh të huaj, një fenomen që sipas Shimës kërkon rregulla të forta. “Nëse do të kishte rregulla për lojtarët e huaj, sot Tirana do të ishte në vend të parë dhe kandidate kryesore për titull, – u shpreh ndër të tjera lideri i skuadrës bardheblu. – Kudo ku ne kemi luajtur, si brenda apo jashtë fushe, kemi patur një numër të madh tifozësh.”
“Të cilët vijnë për të parë basketboll, pasi Tirana bën një lojë të bukur, të gjithë djersijnë për fanellën, – ka vijuar Shima. – Goga Basket ka një skuadër shumë të mirë dhe është e vështirë që t’i mundësh, por kampionati ynë është i nivelit ku edhe vendi i 4-t mund të rivalizojë për titullin. Kjo ishte një ndeshje shumë e luftuar para tifozëve tanë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund dhe të shikojmë se si do të shkojë ndeshja e 3-të e këtij dueli.”
“Tirana asnjëherë nuk do të jetë vetëm, pavarësisht se këtë sezon e braktisën nga ana financiare. Tiranën donin ta hidhin nga kategoria, por nuk ia dolën, sepse ne jemi këtu dhe do të pretendojmë deri në fund për titullin”, – përfundoi basketbollisti i Tiranës, Gerti Shima.