AlbanianSport.com 24/04/2019 22:05
ASNN – Sokol Cikalleshi ishte protagonist mbrëmjen e të mërkurës në gjysmëfinalen e Kupës së Turqisë, pasi shënoi golin e fitores për Akhisarsporin në duelin ndaj Umranijesporit, në një ndeshje të fituar 1-0 dhe ku sulmuesi shqiptar rezultoi vendimtar, sepse skuadra e tij kualifikohet në finale.
Shtatlarti shqiptar shënoi në minutën e 37-të, duke qenë vendimtar. Duhet thënë se Akhisarspori i tij kishte fituar edhe duelin e parë gjysmëfinal me Umranijespor me rezultatin 1-0, kështu që ia del të kualifikohet në finale, ku do të presë fituesin e çiftit Mallatjaspor-Gallatasaraj, një takim që do të luhet të enjten në mbrëmje.
Sa i takon Cikalleshit, ai regjistroi ditën e sotme golin e radhës në kupën turke, teksa ka shënuar në katër sezonet e tij në Turqi, në këtë aktivitet, plot 17 gola, një shumë e konsiderueshme kjo, pasi ndeshjet e Kupës janë më të pakta në numër se ato të kampionatit.
Vetëm për këtë sezon, Cikalleshi ka realizuar në kupë 5 gola, prej të cilëve dy gola i ka shënuar për ish-skuadrën, Gëztepe. Golat e tij mund të jenë një sinjal i fortë për trajnerin Edi Reja, që ta ketë Cikalleshin në vëmendjen e Kombëtares për duelet e qershorit ndaj Islandës dhe Moldavisë.