AlbanianSport.com 24/04/2019 20:15
ASNN – Portieri i skuadrës kombëtare për grupmoshën deri në 18-vjeç, Fatmir Çeka, doli të mërkurën në konferencën për shtyp së bashku me trajnerin Nevil Dede. Djaloshi kuqezi shprehu entuziazmin e tij për veshjen e fanellës së Kombëtares dhe garantoi se do të bëjë maksimumin e tij, duke i konsideruar edhe miqësoret si kjo e radhës me Maqedoninë e Veriut si një finale.
Sipas tij, Kombëtarja të motivon të fitosh çdo ndeshje. “Të veshësh fanellën e Kombëtares është një emocion i papërshkrueshëm, – tha që në fillim “gardiani” kuqezi i Kombëtares së Nën-18-vjeçarëve, – është ndjenja më e bukur në botë. Të gjithë ata që e veshin fanellën e Kombëtares duhet të ndjehen shumë krenarë me veten e tyre. Kur vishet kjo fanellë duhet të dish që nuk je duke prezantuar veten, por po përfaqëson një komb të tërë e duhet të japësh më shumë se maksimumin për t’i bërë të gjithë krenar.”
“Padyshim, që i vogël Kombëtarja ka qenë ëndrra dhe motivimi më i madh deri sa e arrita dhe do të vazhdoj të stërvitem edhe më fortë, që mos ta lëshoj asnjëherë”, ka shtuar ai. Më pas portieri i ri kuqezi foli për duelin e radhës të Kombëtares, atë ndaj Maqedonisë së Veriut, të enjten në Librazhd. “Kur luan për Kombëtaren gjithmonë e rëndësishme është të luash për fitore dhe të japësh maksimumin. Edhe në ndeshjen e dytë do të japim maksimumin dhe do të mundohemi të fitojmë, nuk ka miqësore në Kombëtare, për mua është si një finale”, tha Çeka.