AlbanianSport.com 21/04/2019 22:05
ASNN – Bardheblutë e trajnerit Gorenca fitojnë ndeshjen e 3-të gjysmëfinale, janë në finalen për titull. Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Femra vazhdon të dhurojë të papritura dhe, pas Mirditës, që e mbylli sezonin e rregullt si kryesuese, por u eliminua në gjysmëfinale duke u mundur në dy ndeshje nga Partizani i vendit të 4-t, të dielën është eliminuar edhe skuadra që e mbylli në vendin e dytë të renditjes, Barleti Voleji.
Përkundër të gjitha gjasave, teksa e kishte fituar bindshëm ndeshjen e parë, jo vetëm me sete, 3-0, por edhe me pikët e seteve, 25-21, 25-15 dhe 15-13, duke krijuar idenë e një kualifikimi pa shumë probleme, ekipi i trajnerit Hasan Gurabardhi ka vijuar të mundet në dy takimet e tjera përballë Tiranës dhe t’i thotë “lamtumirë” finales. Bardheblutë e trajnerit Adrian Gorenca patën treguar karakter.
Sepse e patën fituar në 5 sete takimin e dytë në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet. Dhe në një përkim interesant me festën e Pashkëve katolike, edhe Tirana është ringjallur të dielën dhe ka fituar 3-1 në takimin e 3-të të gjysmëfinaleve të “play-off”-it për titull, të zhvilluar në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.
Sa i përket ndeshjes, bardheblutë e kanë fituar setin e parë 25-21, ndërsa në të dytin, teksa pritej një reagim i Barleti Volejit, Tirana ka dominuar tërësisht, duke e marrë këtë set me shifrat e thella 25-11. Kjo duket se e ka shtangur skuadrën e Gurabardhit, e cila sidoqoftë përpiqet dhe lufton në setin e 3-të, duke e marrë atë 25-15. Por seti i katërt ka folur sërish për vajzat bardheblu, që e fitojnë atë 25-18 dhe gjithë takimin 3-1, dhe bashkë me të, sigurojnë edhe vendin në finalen e madhe për titull me Partizanin.