AlbanianSport.com 20/04/2019 23:55
ASNN – Nëse Flamurtari arriti të rivalizonte me SHBF Tiranën në kryeqytet në duelin e parë gjysmëfinal, e kundërta ndodhi me ndeshjen që Tirana tjetër (SHKBF Tirana) e drejtuar nga trajneri Erdal Borova, zhvilloi ndaj Vllaznisë. Ishte takimi i parë gjysmëfinal midis tyre dhe diferencat në parket tregojnë qartë epërsinë e skuadrës së Borovës. Në fakt, ndeshej vendi i parë me vendin e 4-t në renditjen e sezonit të rregullt, kështu që epërsia e SHKBF Tiranës ishte mjaft e madhe.
Këtë e dëshmojnë edhe shifrat e ndeshjes, ku vajzat bardheblu fituan me rezultatin 88-45. Një epërsi me dyfish të pikëve, që tregojnë qartë dominimin e Tiranës në këtë edicion të basketbollit elitar të femrave. Ishte gjysma e parë e ndeshjes që foli e gjitha për Tiranën, ku vajzat bardheblu fituan 10-minutëshin e parë me shifrat 31-7, kurse 10-minutëshin e dytë me shifrat 22-9. Pra, kur u mbyll gjysma e parë e ndeshjes, Tirana e Borovës udhëhiqte ndaj Vllaznisë me rezultatin 53-16.
Kjo bëri që, në 10-minutëshin e tretë Tirana të aktivizonte vajzat e reja, gjë që i dha mundësinë Vllaznisë të fitonte këtë çerek loje me shifrat 22-14, por pa mundur as të lëkundte pozitat e SHKBF Tiranës. Në 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, Tirana fitoi me shifrat 21-7 dhe krejt takimin 88-45, duke fituar kështu duelin e parë gjysmëfinal dhe duke hedhur një hap të madh përpara drejt finales së madhe.
Tanimë mjafton dhe një fitore tjetër dhe skuadra e trajnerit Borova shkon e qetë në finalen e madhe të “play-off”-it. Dueli i kthimit me Vllazninë do të luhet më 23 prill 2019 në kryeqytet. Kujtojmë se SHKBF Tirana është pretendentja kryesore për të fituar trofeun e kampionatit të këtij sezoni.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Faza e “Play-off”-it
Takimet e para gjysmëfinale
E shtunë, 20 prill 2019:
SHBF Tirana – Flamurtari 81-69
(19-25, 23-18, 17-14, 20-12)
SHKBF Tirana – Vllaznia 88-45
(31-7, 22-9, 14-22, 21-7)
Takimet e dyta gjysmëfinale
Të martën, 23 prill 2019:
Vllaznia – SHKBF Tirana
Flamurtari – SHBF Tirana