AlbanianSport.com 19/04/2019 23:55
ASNN – Faza gjysmëfinale e ndeshjeve të “play-off”-it në volejboll për meshkuj nisi këtë të premte me duelet e para, ku padyshim, takimi i luajtur në parketin e Arenës Sportive “Dhimitraq Goga”, midis Erzenit dhe Partizanit shënoi një prej ndeshjeve më të forta e më të bukura të këtij edicioni, një supertakim me mjaft emocion dhe rivalitet i nivelit më të lartë. Edhe pse shijakasit e nisën ndeshjen si favoritë, në fund fitoi Partizani, duke befasuar tërësisht Erzenin.
Skuadra e trajnerit Ylli Tomori bëri një duel mbresëlënës dhe ia doli në fund të vendosë diktatin e saj e për pasojë ta nisë mirë këtë etapë gjysmëfinale, ku një tjetër fitore mund ta shpërblente për të kaluar në finale. Dueli nisi mirë për Erzenin, i cili e fitoi setin e parë pa probleme 25-18, duke dhënë shenja të forta që mund ta fitonte bindshëm takimin. Por nuk rezultoi kështu. Partizani përmbysi me dy setet në vijim, duke treguar maturi në veprimet mbrojtëse dhe agresivitet në sulm.
Por edhe në lojën në bllok, duke mundësuar një përmbysje të madhe. Kështu, Partizani fitoi setin e dytë me shifrat 25-20. Por seti i 3-të rezultoi mjaft i vështirë e megjithatë Partizani ia doli të fitojë 25-22, duke udhëhequr me sete 2-1 dhe duke u motivuar mjaft për ta fituar ndeshjen. Por në setin e katërt Erzeni korrigjoi ndjeshëm lojën e tij dhe pavarësisht rivaliteti të pabesueshëm të skuadrës së kuqe të kryeqytetit, ia doli të fitojë 25-19.
Për të përcaktuar fituesin u desh të luhej seti i 5-të, ai final, ku “Demat e kuq” të trajnerit Tomori u treguan më të saktë se ata të homologut Ben Sako të Erzenit, duke fituar me shifrat 15-12 dhe krejt ndeshjen 3-2. Ishte një fitore e papritur, por mjaft domethënëse për Partizanin që do ta luajë duelin e kthimit akoma më i motivuar dhe me më shumë motivim për të realizuar objektivat e tij. Duhet theksuar se në këtë ndeshje pati dhe një incident.
Atëherë kur dy lojtarë u përplasën me njëri-tjetrin, teksa seti final ishte në shifrat 8-8 dhe gjyqtaria i nxori të dy me karton të kuq. Ishte ndoshta ky episod që i solli fat Partizanit, pasi e menaxhoi më mirë gjendjen psikologjike të grupit dhe ia doli të demonstrojë në parket një lojë me nivel dhe njëherësh të korrë një sukses që mund ta shpërblejë për duelin e kthimit. Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u parë, sepse Erzeni është dëshmuar një skuadër e fortë këtë sezon.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Gjysmëfinalet e “Play-off”-it
Takimet e para
Të premten, 19 prill 2019:
Vllaznia – Tirana 3-0
(25-18, 25-13, 25-23)
Erzeni – Partizani 2-3
(25-18, 20-25, 22-25, 25-19, 12-15)