AlbanianSport.com 19/04/2019 23:00
ASNN – Lojtarët e Kombëtares që luajnë në kampionatin kroat nuk po kalojnë një moment të mirë. Dhe kjo ka ndodhur pas ndeshjeve të Kombëtares të luajtur në fund të muajit mars. Kanë kaluar gati 3 javë nga ato dy ndeshje kundër Turqisë dhe Andorrës dhe me kthimin e futbollistëve në skuadrat e tyre, lojtarët që luajnë në kampionatin elitar kroat nuk po tregojnë më vlerat e tyre teknike dhe nuk janë më në faqet e para të gazetave sikurse ndodhte më parë. Myrto Uzuni ka disa javë që nuk po ndihet.
Më herët ishte në formacionin më të mirë të javës dhe një prej lojtarëve më të spikatur me gola dhe pasime për gol. Por Uzuni ka pej tri javësh që nuk dëgjohet dhe Lokomotiva e tij e Zagrebit, nga një skuadër pretendente për një vend në Ligën e Evropës, tani ka zbritur në vendin e 6-të. Kurse Hajduku i Splitit, skuadër me aq nam në Kroaci, ku luajnë disa futbollistë shqiptarë si Ardian Ismajli, Françesko Tahiraj dhe Lirim Kastrati, nuk ndodhet ende në zonën e pretendimeve evropiane.
Por ka shanse, sigurisht, që ta kapë objektivin e tij në javët e ardhshme. Të 3 lojtarët shqiptarë e kanë humbur peshën e tyre, dëshmuar me mungesë golash dhe pasimesh për gol apo dhe përfshirje në formacionin e javës. Natyrisht, diferencën momentalisht e bën mbrojtësi kuqezi Ismajli që vijon të jetë titullar. Sa i takon lojtarëve të tjerë, vetëm Amir Rrahmani mund të marrë vëmendje, pasi luan me gjigandët e Dinamos së Zagrebit, por as ai nuk ka qenë protagonist në javët e fundit.
Pra kuqezinjtë e Kroacisë po kalojnë një ngërç në këtë moment, por kjo s’duhet lidhur doemos me angazhimin e fundit që patën në ekipin kombëtar, sepse, e vërteta është se asnjëri prej tyre nuk la gjurmë as në duelin ndaj Turqisë e as ndaj Andorrës, edhe pse paraqitja në tërësi e tyre ka qenë, përgjithësisht, e mirë. Këtu bën përjashtim Tahiraj, i cili gjatë merkato së dimrit ka ndërruar klub, duke u zhvendosur nga Sllovenia në Kroaci dhe që nuk pati vëmendjen e duhur nga ish-trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi.