AlbanianSport.com 19/04/2019 22:05
ASNN – Vllaznia nuk e diskutoi fitoren të premten përballë Tiranës, duke e mposhtur me rezultatin 3-0. Ishte një ndeshje e zakonshme në një kampionat të gjatë e të lodhshëm, por risi është vetëm përplasja në kuadër të “play-off”-it. Tirana nuk mundi të bënte asgjë. E vërteta është se vinte në këtë duel si një skuadër pa shumë cilësi dhe për më tepër përballë Vllaznisë, e cila ka një kualitet të spikatur dhe shihet pretendente.
Shkodranët qëndruan lart gjatë gjithë kohës. Klasikja shqiptare e sportit nuk do të zhgënjente në volejbollin e meshkujve sa i takon staturës së klubeve, por siç thamë Vllaznia qëndroi lart gjithë kohës, duke i fituar bindshëm të 3 setet. Kështu, seti i parë përfundoi 25-18.
Akoma më bindëse ishte skuadra shkodrane në setin e dytë, të cilin e fitoi me shifrat 25-13. Bardheblutë reflektuan në setin e 3-të dhe u përpoqën të linin gjurmë në këtë ndeshje por nuk ia dolën. Edhe këtë set e fitoi Vllaznia 25-23. Kjo ndeshje, e luajtur në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” të kryeqytetit, nuk pati kurrfarë historie në aspektin e rivalitetit dhe emocionit.
Sepse shkodranët bënë diferencë dhe shihen favoritë për të shkuar në finale. Megjithëse, duhet pritur edhe ndeshja e kthimit për të parë se cila skuadër do ta marrë këtë të drejtë. Në përfundim të gjysmëfinaleve të para, mund të konstatohet se Erzeni ka pësuar një tronditje të thellë me humbjen ndaj të kuqve të Partizanit, kurse Vllaznia thjesht bëri “detyrën” në duelin e parë ndaj Tiranës.
Sidoqoftë, kualifikimi mbetet i hapur për të gjitha skuadrat.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Gjysmëfinalet e “Play-off”-it
Takimet e para
Të premten, 19 prill 2019:
Vllaznia – Tirana 3-0
(25-18, 25-13, 25-23)
Erzeni – Partizani 2-3
(25-18, 20-25, 22-25, 25-19, 12-15)