AlbanianSport.com 19/04/2019 21:10
ASNN – Humbja me Flamurtarin, e ka ngushtuar në 1 pikë diferencën midis Kukësit të vendit të dytë dhe skuadrës vlonjate. Verilindorët përballen të shtunën me Tiranën, një skuadër e etur për pikë. Por për trajnerin Ernest Gjoka, synimi i Kukësit, i dorëzuar tashmë në luftën për titull, mbetet vendi i dytë dhe finalja e Kupës së Shqipërisë.
Gjoka e di se përballë do të ketë Tiranën, një skuadër agresive që kërkon pikë dhe do t’u krijojë mjaft vështirësi verilindorëve. Por edhe synimet e Kukësit dihen tashmë, ndaj ai mendon se ndeshja do të ketë mjaft adrenalinë. 8 ndeshjet e mbetura vlejnë sa një kampionat i tërë.
Kështu u ka thënë Gjoka futbollistëve të tij, duke kërkuar maksimumin prej tyre. Por Kukësi vuan mungesa të rëndësishme, futbollistë të cilët trajneri po mundohet t’i gjejë zëvendësuesin e duhur. Ndërsa futbollisti i Kukësit, Adrian Cuculi, thekson edhe njëherë mungesën e fushës, e cila e ka penalizuar mjaft skuadrën e tij.